Kryeministri Isa Mustafa ka reaguar edhe në mbledhjen e Qeverisë lidhur me aktvendimin e Gjykatës së Lartë të Nishit, në Serbi, për dënimin e tetë eprorëve e pjesëtarë të Brigadës 138 të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Mustafa ka theksuar se asnjë gjykatë serbe nuk ka kompetencë të marrë vendime të tilla për qytetarët e Republikës së Kosovës.
“Në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës, reagojmë ndaj një procesi farsë gjyqësor në Serbi që dje dënoi tetë eprorë dhe pjesëtarë të Brigadës 138 të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Ish-eprorët e kësaj Brigade, tashmë deputetë të Republikës së Kosovës, Anton Quni dhe Rrustem Berisha, si dhe gjashtë bashkëluftëtarë të tyre Xhafer Gashi, Demush Gacaferri, Demë Maloku, Agon Isufi, Rabit Alija dhe Sheqeri Maloku, janë dënuar dje në mungesë nga një gjykatë në Nish të Serbisë. Asnjë gjykatë në Serbi nuk ka të drejtë të gjykojë qytetarët e Republikës së Kosovës. Aq më pak të zhvillojë procese gjyqësore ndaj luftëtarëve të UÇK-së, të cilët kanë zhvilluar luftë çlirimtare, duke respektuar ligjet dhe zakonet e luftës”, ka thënë kryeministri Mustafa.
Ai ka bërë të ditur se vendimet e gjykatave serbe nuk do të zbatohen asnjëherë, sepse këto gjykata nuk kanë juridiksion të gjykojnë qytetarët e Kosovës.
“Asnjë vendim i djeshëm i kësaj gjykate ndaj tetë qytetarëve të Republikës së Kosovës, eprorë të nderuar të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe asnjë proces tjetër nuk do të ketë asnjë lloj ndikimi dhe nuk do të mund të zbatohet asnjëherë, sepse gjykatat e Serbisë nuk kanë juridiksion të procesojnë çështjet që kanë të bëjnë me Kosovën dhe qytetarët e saj, sepse Kosova është shtet i pavarur dhe për Serbinë qytetarët e Republikës së Kosovës janë shtetas të huaj”, ka thënë Mustafa.
Ai ka thënë se Qeveria e Kosovës do të kërkojë nga partnerët ndërkombëtarë për të ushtrojnë trysni ndaj Serbisë, për të ndërprerë farsat e tilla gjyqësore dhe ndjekjen e qytetarëve të Republikës së Kosovës, “me akuza të pabaza dhe krejtësisht jashtë standardeve juridike ndërkombëtare”.















