Një fëmijë katërvjeçar ka humbur jetën si pasojë e një zjarri të madh në një apartament në katin e shtatë të një pallati në zonën e Unazës së Re në kryeqytet mbrëmjen e së martës.
Nga burime nga policia e Tiranës mësohet se janë evakuuar çifti i bashkëshortëve Nezha dhe fëmija i tyre shtatëmuajsh, ndërsa fëmija tjetër mbeti i bllokuar në banesë.
Punonjësit e zjarrfikëses e kanë gjetur atë të pajetë nga asfiksimi. Tri zjarrfikëse mbërritën në vendngjarje për të shuar flakët, por puna qe e vështirë për shkak të përmasave të mëdha zjarrit dhe lartësisë.
Ngjarja ndodhi rreth orës 18:00 dhe për 40 minuta banesa qëndroi në flakë, ndërsa policia evakuoi edhe banorët e tjerë të pallatit.
Shkaku i zjarrit pritet të mësohet pas hetimit nga ekspertët në vendngjarje.
Foto nga vendi i ngjarjes
(18:34) – Një apartament në katin e shtatë të një pallati në zonën e Unazës së Re në kryeqytet është përfshirë nga një zjarr i përmasave të mëdha.
Deri më tani nuk dihen shkaqet, e as nëse në banesë ka pasur banorë apo jo. Dyshohet se një fëmijë katërvjeçar ka humbur jetën.
Në vendin e ngjarjes kanë mbërritur tri makina zjarrfikëse të cilat po punojnë për shuarjen e flakëve.
Drejtori i Shërbimit Zjarrfikës, Shkëlqim Goxhaj, tha për “Ora News”-in se operacioni i ndërhyrjes është i vështirë për shkak edhe të lartësisë së madhe në të cilën ndodhet apartamenti.
Ndërkohë flakët në apartament po përparojnë me shpejtësi, duke vënë në rrezik edhe apartamentet e tjera të pallatit. Një pjesë e banorëve të pallatit janë evakuuar, të tjerë kanë dalë jashtë më herët.
















