Ekspertët e Komisionit të Venecias pas një vizite dy ditore në Tiranë dhe takimeve me ekspertë të opozitës, LSI-së si edhe ekspertët që hartuan draftin, kanë organizuar një tryezë me gazetarët.
Në konferencën e mbajtur, ekspertët e Komisionit të Venecias nuk i kanë dhënë përgjigje çështjes që ka shkaktuar ngërç mes palëve politike. Ekspertët janë shprehur se të dy variantet që propozohen si 2/3 edhe 3/5 janë praktika që ndiqen në vendet e Europës.
Kreu i delegacionit të ekspertëve, Tomas Markert ka folur edhe për rëndësinë e reformës në rëndësi.
“Kjo reformë është e domosdoshme për Shqipërinë. Kjo nuk është një reformë e thjeshtë, por duhet kohë për ta realizuar dhe duhet të rregullojë statusin e prokurorit, gjyqtarit dhe të luftojë korrupsionin. Ne e mbështesim vlerësimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve, kemi dhënë detaje dhe rekomandime në takimet e zhvilluara, ndaj raporti i ndërmjetëm ka shumë faqe. Do të kemi edhe komente përfundimtare në raportin përfundimtar, por mund të them se reforma është në rrugën e duhur”, ka vijuar Markert.
Konkluzionet përfundimtare ekspertët e “Venecias” mbi draftin do i japin në muajin mars. Ato i bënë thirrje palëve për bashkëpunim.















