E përditshmja britanike, Daily Mail, shkruan se Shqipëria i pagoi rreth gjysmë milionë sterlina gruas së Tony Blair për këshilla ligjore.
Kompania Omnia Strategy e Cherie Blair mori 493 mijë sterlina si këshilltare ligjore e Shqipërisë në një çështje ligjore kundër një kompanie skanimesh britanike.
Kontrata fillestare ishte 378 mijë sterlina, por u shtua më vonë me 115 mijë sterlina.
Sipas Daily Mail, kjo është një pagesë kontroverse, pasi i shoqi i saj, Tony Blair, është këshilltar i qeverisë socialiste të Edi Ramës që prej shtatorit të vitit 2013.
Qeveria shqiptare punësoi kompaninë Omnia për të zgjidhur një çështje ligjore me Rapiscan, një kompani britanike, që kishte fituar një koncesion 15-vjreçar për një sistem sigurie që do instalohej në kufinjtë e Shqipërisë, me një vlerë prej 250 milionë sterlina.
Marrëveshja koncesionare u miratua një muaj përpara zgjedhjeve të vitit 2013 në Shqipëri, por socialistët u zotuan se do e prishin atë kur të vinin në pushtet.
Në prill të vitit 2015, bazuar në këshillat e kompanisë së Cherie Blair, çështja u zgjidh.
Kompania e gruas së Blair ka punuar edhe për qeverinë e Kazakistanit, prej nga ka marrë 400 mijë sterlina.
Ndërkohë Tony Blair është këshilltar i qeverisë së Kazakistanit, por është kritikuar ashpër se ka fituar 7 milionë sterlina nga kjo kontratë, por pa folur asgjë për dhunimin e të drejtave të njeriut në këtë shtet.
Sipas Daily Mail, zyra e Cherie Blair nuk ka bërë asnjë koment.mapo
















