“Omnia Strategy”, kompania e Cherie Blair, bashkëshortja e ish-kryeministrit britanik, Tony Blair, ka përfituar edhe 150 mijë euro të tjera nga qeveria shqiptare, si tarifë konsulence për ndërmjetësimin e konfliktit me kompaninë “Rapiscan”. Top Channel ka mësuar se vendimi i Këshillit të Ministrave është marrë më datën 28 dhjetor 2015 dhe nuk është publikuar në faqen zyrtare të Kryeministrisë. Nga 495 mijë euro që ishte parashikuar në fillim të kontratës, vlera shkoi në 645 mijë euro.
Sapo erdhi në pushtet, qeveria e majtë u zotua se do të anulonte koncesionin e skanimit në dogana, i cili ishte sulmuar edhe nga bizneset si i padrejtë, pasi vendoste kosto të papërballueshme mbi ta.
Përballë mosmarrëveshjeve me qeverinë, Rapiscan e hodhi Shqipërinë në gjyq në gusht 2014, duke kërkuar 359 milionë dollarë, përmes një padie të ngritur në Dhomën Ndërkombëtare të Tregtisë në Vjenë.
Qeveria kontraktoi menjëherë kompaninë e zonjës Blair për të përgatitur çështjen dhe mbrojtur Shqipërinë në Arbitrazh. Si tarifë për këtë shërbim, përmes një vendimi të posaçëm në mars të vitit të kaluar, qeveria akordoi 495 mijë euro për Omnia. Por gjatë përgatitjes së gjyqit studioja e zonjës Blair ndryshoi qëndrim dhe e këshilloi qeverinë shqiptare që të mos shkonte në Arbitrazh, por ta zgjidhte çështjen me mirëkuptim. Si rrjedhoje, nën këshillën e studios së zonjës Blair, qeveria e rinegocioi marrëveshjen e konccesionit, sipas saj duke lehtësuar kostot mbi biznesin dhe buxhetin edhe pse opozita pretendon të kundërtën.
Por edhe pse nuk shkoi në arbitrazh, Omnia ka përfituar pagesë shtesë nga paratë e buxhetit. Më konkretisht, përmes vendimit në ditët e fundit të vitit të kaluar, qeveria e rrit pagesën për kompanine e zonjës Blair nga 495 në 645 mijë euro duke shtuar kështu 150 mijë euro të tjera që do të paguhen përmes Ministrisë së Financave.
Por si erdhi në Shqipëri bashkëshortja e Tony Blair dhe si siguroi një kontratë të majme me qeverinë?
Kontrata e kompanisë së Charie Blair me qeverinë shqiptare erdhi një vit e gjysmë pasi bashkëshorti i saj kishte nënshkruar me Edi Ramën për të qenë këshilltar i tij. Tony Blair është këshilltar zyrtar i qeverisë shqiptare, por kontrata e tij mbetet e paqartë. Opozita ka bërë disa herë thirrje për transparencë në këtë marrëdhënie, por as nga qeveria dhe as nga zyra e zotit Blair nuk ka patur komente. Në një rast të vetëm, kryeministri Rama, në një emision televiziv është shprehur se këshilltat e Blair nuk kanë të paguar. Por ai nuk iu përgjigj pyetjeve se sa mund të paguhet një këshilltar si Blair, i cili ka kosto të mëdha. Për shembull, një orë fluturim me avionin e tij luksoz, kushton mbi 70 mijë euro.
Kontrata me Shqipërinë vjen pas asaj që zonja Blair fitoi me qeverinë e Kazakistanit, ku bashkëshorti i saj është një këshilltar zyrtar gjithashtu, i paguar për të këshilltuar presidentin autokrat, nursultan Nazarbayev.
Rapiscan nisi një aksion ligjor ndaj Shqipëirsë në gusht të vitit të shkuar, duke e paditur vendin me 250 milionë paund, një rast që po shqyrtohet nga Dhoma Ndërkombëtare e Tregtisë në Vienë.
Shqipëria pajtoi një firmë ligjore për t’u mbrojtur ndaj kësaj padie, pas një procesi tenderimi të filluar në tetor që coi në shpalljen si fitues të Omnia Strategy. Zonja Blair u largua si avokate e të drejtave të njeriut në Matrix Chambers për t’iu përkushtuar punës në Omnia, firmë të cilën ajo e ngriti në vitin 2011.
Kontrata e nënshkruar me qeverinë shqiptare ka shkaktuar shqetësim në Shqipëri për faktin se bashkëshorti i saj, zoti Blair, është shumë i lidhur me qeverinë shqiptare dhe për shkak të mungesës së transparencës.
Por kjo nuk është hera e parë që Omnia Strategy punësohet nga Tirana zyrtare. Në vitin 2012 ajo fitoi një kontratë 300 mijë paundëshe për të këshilluar qeverinë në një çështje ligjore ndaj një firme amerikane të tregtimit të naftës. Shpenzimet ligjore të qeverisë shqiptare në këtë rast arritën në 300 mijë paund, afro 500 mijë dollarë. Nuk është e qartë se ç’pjesë e kësaj shume i shkoi firmës ligjore Omnia Strategy.
Zonja Blair e ka vizituar Shqipërinë për herë të parë në vitin 2010 si e ftuar e Liri Berishës, bashkëshortes së kryeministrit të asaj kohe, zotit Berisha. Cherie Blair erdhi në Shqipëri me një avion privat të Rezart Taçit, një biznesmen kontrovers dhe një prej njerëzve më të pasur në Shqipëri, shkruan The Telegraph.
Shqipëria është një ndër vendet ku Tony Blair është punësuar si këshilltar, përmes kompanisë së tij Tony Blair Associates, të cilën ai e ngriti duke lënë detyrën e kryeministrit në vitin 2007. Zoti Blair ka nënshkruar kontrata të majme me Kazakistanin, Brazilin, Emiratet e Bashkuara Arabe, Mongolinë dhe së fundi me Serbinë. Megjithatë Cherie Blair e ka mohuar që bashkëshorti i saj të jetë i përfshirë në kompaninë “Omnia Strategy”.















