Kryeministri Rama ka zhvilluar nje takim dyzet minutësh në Drejtorinë e Përgjishshme të Doganave. Në takimin pa praninë e medias, rezultatet e dobëta të doganave vlerësohet të kenë qenë pjesë e diskutimit. Kjo u vu re edhe gjatë largimit të kryeministrit, i cili duket se i ka dhënë porosi gati në formë kërcënimi Drejtoreshës së Përgjithshme Pranvera Fagu.
Kryeministri Rama, i shoqëruar nga dy ministrat e kabinetit të tij, Cani dhe Ahmetaj zhvilloi sot paradite një takim në Drejtorinë e Përgjithshme të Doganave.
I pritur nga kreu i këtij institucioni Pranvera Fagu, burime nga Dogana tregojnë se Rama po mori pjesë në takimin e organizuar për bilancin e punës së Doganave në 2015, ku u diskutua edhe për objektivat e synuara gjatë këtij viti.
Takimi u zhvillua pa praninë e medias dhe në fokus mësohet se kanë qenë rezultatet e dobëta të doganave. Gjatë largimit kryeministri i ka dhene porosi te prera Drejtoreshes se Pergjithshme Pranvera Fagu.
Përgjatë gjitë vitit 2015, Doganat kanë shfaqur nivele të larta të mosrealizimit të planit në krahasim me tatimet. Sipas të dhënave të fundit të disponueshme, për 11 mujorin, të ardhurat e munguara buxhetore, në raport me planin ishin 15 miliardë lekë, nga të cilët 63 për qind ka ardhur nga doganat. Ne vlera neto administrata doganore arkëtoi 9.5 miliardë lekë më pak se plani, sipas statistikave fiskale të publikuara nga Ministria e Financave.
Për 11 mujorin, doganat rezultuan me një mosrealizim -6.8 % në raport me planin e periudhës dhe -5.3 për qind në krahasim me faktin e 2014. Ne analizën që doganat kanë bërë për këtë çështje mësohet se, kanë ndikuar negativisht importi më i ulët i cigareve dhe i energjisë elektrike.
















