Edi Ramën e detyrojnë të lexojë draftin e ekspertëve, për reformën në drejtësi. Madje do t’i duhet ta mësojë me detaje. Shumë shpejt do të ketë një tryezë politike për reformën. Edhe njëherë tjetër, Ilir Meta e ka detyruar t’i bindet, pavarësisht se çfarë ka thënë më parë.
“Procesi politik është i domosdoshëm” ishte deklarata e Ilir Metës, pas takimit me Ramën. Ky i fundit, kishte thënë pak ditë më parë, se as nuk e kishte lexuar draftin me ndryshimet ligjore. Sipas kryeministrit, kjo ishte detyrë ekskluzive e ekspertëve. “Politikanët vetëm do ta ngatërronin reformën ne drejtësi” kishte thënë Rama.

Por menjëherë pas takimit me Metën, Edi Rama u nis të takojë presidentin Bujar Nishani, i cili u vetëofrua si nismëtar i tryezës politike.
Por gjithsesi, Ilir Meta i bëri thirrje opozitës të mos vetëpërjashtohet nga tryeza e ekspertëve.
“Ekspertët e Partisë Demokratike kanë bërë një punë për t’u përshëndetur, kanë bërë mjaft pyetje edhe për Komisionin e Venecias; kanë qenë të përfshirë në rishikimin e draftit, në frymën e rekomandimeve të Venecias. Na vjen keq, prandaj edhe njëherë gjej rastin t’u kërkoj të rikthehen në tryezën e ekspertëve vendas dhe ndërkombëtarë, te mos vetëperjashtohen për një çështje apo për disa çështje të caktuara, ta ruajë këtë frymë bashkëpunimi dhe në fund fare patjetër që do shkohet drejt Komisionit të Posaçëm, ku të gjithë do kenë mundësi të shprehen” tha Meta.
















