Politika pritet të hapë vitin 2016 me një takim për reformën në drejtësi. Ekspertë të nivelit të lartë do të mblidhen sot për të reflektuar mbi raportin e Komisionit të Venecias. BW raporton se ish-ministri Ilir Rusmali, është përzgjedhur nga ministri i Drejtësisë si ekspert i qeverisë.
Reforma në drejtësi është konsideruar si sfida e këtij vitit për të majtët e të djathtët. Liderët e partive kryesore të koalicionit të majtë, Rama dhe Meta, deklaruan disa ditë më parë se reforma në drejtësi mbetet një ndër prioritetet kryesore të maxhorancës për këtë vit dhe implementimi i saj mund të bëhet në pranverën e këtij viti.
Maxhoranca dhe opozita e kanë vlerësuar raportin e Komisionit të Venecias, duke e konsideruar atë ‘një bazë shumë solide’ për përparimin e reformës në drejtësi.
















