Deputeti i PS-së, në qarkun e Vlorës, Koço Kokëdhima, njëherësh koordinator në rajonin Vlorë-Gjirokastër, prej disa javësh po merr mendimet e grupeve të interesit për projektin e ngritjes së një shoqërie tregtare me emrin “Konsorciumi për Zhvillimin Rajonal sh.a.” me kapital të përzier privat dhe publik, i cili synon të zhvillojë rajonin Vlorë-Gjirokastër.
Në takimin më të fundit, të mbajtur më 17 dhjetor, me pjesëmarrjen e deputetëve të PS-së, drejtuesve të njësive vendore të rajonit Vlorë-Gjirokastër, si dhe me përfaqësues të rëndësishëm të biznesit shqiptar, u vendos që të punohet bashkërisht për të nxitur projektet e zhvillimit në rajon. Në një intervistë për gazetën “Shekulli”, deputeti Kokëdhima sqaron se si do të jetë ky konsorcium, si do të funksionojë, cili do të jetë roli i bashkive dhe i biznesit dhe fushat ky do të fokusohen projektet e zhvillimit.
Z.Kokëdhima, çfarë është ky konsorcium?
Konsorciumi për zhvillimin e rajonit Vlorë-Gjirokastër është një shoqëri me kapital të përzier, privat dhe publik, e cila do të zhvillojë biznes në rajonin e jugut. Objekti i kësaj shoqërie është zhvillimi. Ajo do të kryejë një numër të caktuar shërbimesh, do të identifikojë potenciale dhe resurse, do të bëjë studime fizibiliteti, do të dizenjojë projekte investuese, do të gjejë dhe bashkojë këto potenciale dhe projekte me partnerë privat-privat, privat-publik, ose publik, të cilat duhet t’i kryejnë këto investime dhe do të realizojnë zhvillimin në rajonin Vlorë-Gjirokastër, investime, punësim, prodhim, eksporte, taksa dhe të ardhura për buxhetin e shtetit e mirëqenie për qytetarët. Gjithashtu, kjo shoqëri do të lobojë në të gjitha institucionet ndërkombëtare, që kanë programe zhvillimi si BE etj. Këto janë praktika mëse normale që të punojnë së bashku partnerët publikë dhe privatë dhe t’i japin zhvillim rajonit. Reagimet kundër ndaj kësaj iniciative vijnë nga ata njerëz, të cilët, në rastin më të favorshëm nuk e kuptojnë ose nuk e kanë të qartë këtë gjë. Ne jemi të fokusuar që të bëjmë zhvillim, të prodhojmë ekonomi për rajonin dhe për qytetarët. Disa njerëz janë të vendosur që të bëjnë punë dhe vepra gjithë jetën e tyre. Ka, fatkeqësisht, edhe disa njerëz të tjerë që e kalojnë jetën e tyre, duke pështyrë punët dhe veprat e të parëve.
Cili është roli i bashkive në këtë sipërmarrje?
Kjo sipërmarrje është një konsorcium ku përfshihen partnerë publikë e privatë dhe bashkitë janë aksionere në të me një pjesëmarrje shumë modeste, me qëllim që të nxisin zhvillimin në zonën e tyre. Bashkitë janë shumë të interesuara për të bërë këtë zhvillim, për të dizenjuar dhe për të lobuar projekte dhe për të gjetur financime që këto projekte të realizohen.
Këto bashki nuk mund t’i bënin vetë këto, siç thonë kritikët e idesë?
Këto nuk janë kritika, por janë sulme të verbra të njerëzve, që duan të pengojnë zhvillim në rajon dhe jo vetëm në rajon. Nuk ka se çfarë të kritikosh këtu. Këtu kemi të bëjmë me një iniciativë për të ndërtuar zhvillim dhe nuk kemi të bëjmë fare me trajtimin banal që bën opozita, apo disa njerëz të tjerë, sipas të cilëve këto janë mekanizma për të bërë pasuri individë të caktuar. Nuk kanë lidhje këto gjëra me këtë çështje. Këto janë punë shumë transparente ku përfshihen të gjithë këshillat bashkiake, me pjesëmarrje tejet modeste. Po ju them që në rreth 10 bashki që janë shprehur të interesuar për të marrë pjesë në këtë iniciativë, kontributi i tyre financiar, në shumicën e rasteve është i papërfillshëm. Partnerët privatë që përfshihen në këtë shoqëri janë nga bizneset dhe sipërmarrësit e elitës së Shqipërisë. Kjo shoqëri do të mobilizojë ekspertë, specialistë dhe punonjës, të cilët do të merren gjithë kohën me zhvillimin e rajonit. Kjo shoqëri do të ndihmojë që të aplikohet dhe të merren këto projekte dhe nuk shpërndan fonde e pasuri shtetërore apo tjetër. Është një shoqëri e së drejtës tregtare e bazuar në ligjet e shtetit që prodhon shërbime dhe mobilizon njerëz me të cilët mundëson zhvillim, mundëson të bëhen dhe aplikohen projekte në institucione kombëtare dhe ndërkombëtare, të gjenden partnerët që të investojnë dhe realizojnë këto projekte.
Çfarë projektesh do të jenë?
Ato projekte që do të rezultojnë fizibël, do të lobohen. Këto projekte, duke patur parasysh zonën, janë të lidhura me trashëgiminë kulturore, me mjedisin, turizmin apo bujqësinë. Kryesisht bazohen në zhvillimin e resurseve dhe potencialeve të zonës. Ky është një projekt që nuk mund të ndalet nga askush. Ai është një konsorcium që do të funksionojë, sepse populli ka nevojë për zhvillim, për ekonomi, për vende pune dhe nuk mund të ndalohet për asnjë paragjykim dhe interes të kundërshtarëve tanë politikë. Ky projekt do të funksionojë në të gjithë territorin e rajonit Vlorë-Gjirokastër. Modeli që do të zbatohet është shumë i njohur në të gjithë botën, që bëhen agjentë tregu, ndërmarrje dhe investime të përbashkëta, private dhe publike. Nuk janë shpikjet tona, por janë aplikime që do të marrin jetë hap pas hapi. Prania e kapitalit privat rrit cilësinë e menaxhimit dhe shanset e suksesit të kësaj iniciative. Në këtë shoqëri tregtare, me sa jam informuar, janë përfshirë kompani shumë elitare të Shqipërisë. Këto i kuptojnë nevojat e rajonit për zhvillim dhe e pëlqejnë idenë e projektit dhe janë të angazhuar, sepse u duket shumë interesante, siç doli nga takimi që bëmë më 17 dhjetor.
Ky konsorcium është një kompani e të drejtës tregtare që nuk synon as të marrë pjesë në tenderët e bashkive, as në privatizime. Ajo synon të identifikojë mundësi zhvillimi dhe të gjejë financues për të zhvilluar projektet. Kompania do ta ketë selinë në Tiranë, sepse këtu ka burime më të afta njerëzore dhe mundësi më të shumta për kontakte. Përveç kësaj zyre në Tiranë, zyra e parë do të jetë ajo e lobimit në Bruksel. Deri tani ne nuk kemi patur aftësi për të marrë fonde nga programet e BE-së. Bashkitë tona, edhe pas ndarjes së re territoriale, kanë burime të kufizuara njerëzore dhe nuk kanë përvoja suksesi për të marrë pjesë, për të bërë projekte apo për të sjellë financime dhe zhvillim.
Sulmet ndaj projektit, komentuesit: Vizion për zhvillim
Reagimet kundër projektit të deputetit Kokëdhima për zhvillimin e Jugut nuk kanë munguar. Portali lapsi.al, i njohur si anti-qeveritar, ribotoi një shkrim të botuesit të gazetës “Tema”, sipas të cilit “statuti dhe objektivat e këtij “konsorciumi” parashikojnë që bizneset dhe bashkitë do të përfshihen në një rreth të mbyllur ofertash, të formuar nga ky konsorcium, dhe që do të shmangin ligjet kryesore mbi të cilat operon partneriteti publik privat në Shqipëri, që është ligji i prokurimit publik, dhe ai i ankandeve”. Madje idea e Kokëdhimës u krahasua me skemat që përdoreshin nga pushteti i kaluar i Berishës. Por, poshtë shkrimit të marrë nga “Tema”, gati të gjitha komentet janë në mbështetje të projektit të deputetit Kokëdhima, siç ilustrohet edhe nga reagimet e marra nga faqja:
Tani: Kokëdhima është figurë politike ku fjala e tij ka peshë të madhe. Vizionar dhe me idealin për zhvillim të vendit dhe përmirësimin e mirëqenies së popullit.
Dejon: Kokëdhima s’ka lidhje me Berishat, ata janë kriminelët e vendit.
Mandi: Çdo ide dhe projekt që vjen nga Kokëdhima, ka vend vetëm për zhvillim. Koha e ka treguar tashmë punën e tij.
Polikseni: Populli i Jugut është më Kokëdhimën, pasi është ndër të vetmit deputetë, i cili, me punën e tij, ka dhënë dhe do të japë fryte të jashtëzakonshme. Ndër të vetmit që ka dëgjuar me zemër çdo problem dhe ka marrë parasysh për një zgjidhje më të mirë të mundshme, të përbashkët. I urojmë deputetit suksese të tjera dhe në vitin 2016. Dhe Meros i themi, boll me sulme mediatike Kokëdhimës, pasi ai po punon vërtetë shumë, më shumë se kurrë.
Astrit: Mero hedh baltë, akuza e sulme aty ku shihet zhvillim.
Maria: Krahasim absolutisht i gabuar. Z. Kokëdhima është i pazëvendësueshëm. Patriot dhe e do vendin, ndrysha nga Berisha që e shiti vendin dhe ia mori gjakun popullit.
Kastriot: Kokëdhima, figurë politike me personalitet të lartë, ku fjala e tij ka peshë. Vizionar për zhvillimin e vendit dhe rritjen e mirëqenies së popullit. tashmë e ka treguar veten në çdo projekt-ide ku prioritet është zhvillimi.
















