UEFA thotë se për të marrë bileta për ndeshjet e Shqipërisë në Euro 2016, duhet të jesh shtetas i Kosovës ose Shqipërisë
Federata Shqiptare e Futbollit është “dorëzuar” në praktikën e shpërndarjes së biletave për ndeshjet e Kombëtares së Shqiptarëve në fazën fundore të Kampionatit Europian “Francë 2016”.
Biletat, sipas UEFA-s, mund të përfitohen nga blerja online për shtetasit nga Shqipëria dhe Kosova, për personat që jetojnë në Kosovë ose në Shqipëri.
Përveç përqindjes që do të marrë si pjesëmarrëse, federata pohon se gjithçka në praktikën e shpërndarjes së biletave do të menaxhohet nga UEFA.
Shqipëria do të luajë në grupin “A” bashkë me Francën, Zvicrën dhe Rumaninë pas shortit që u hodh në 12 dhjetor 2015.
Sekretari i Përgjithshëm i federatës, Ilir Shulku tregon gjendjen për biletat dhe rithekson gjithashtu qëllimin e Shqipërisë për ta kaluar grupin:
“Federata do të ketë një numër jo të madh, një numër të pakët të biletave dhe pjesa tjetër do të menaxhohet nga UEFA. Nga kjo Kombëtare mund të merret akoma edhe më shumë. Prioritet do të jetë që të kalojmë grupin”.
Shqipëria me Zvicrën luan në 11 qershor 2016 në Lens në orën 15, me Francën në Marsejë në orën 21 në 15 qershor dhe me Rumaninë në Lion po në orën 21 në 19 qershor.















