Anderlehti nis kërkimin për një zëvendësues të trajnerit në fund të sezonit
Ermal Kuka
Nëse Xhani De Biazi do të largohet nga Shqipëria në fund të Euro 2016, kombëtarja shqiptare mund të ketë në dispozicion një kandidat potencial shumë të fortë për të zënë vendin e tij. Bëhet fjalë për Besnik Hasin, i cili mund të largohet në fund të sezonit nga Anderlehti. 43-vjeçari ka një kontratë deri në qershorin 2017 me klubin belg, por duket se ai do ta mbyllë para kohe këtë eksperiencë me rekordmenët e Belgjikës, të cilët kanë filluar të interesohen për një zëvendësues të mundshëm.
Mediat italiane kanë raportuar dje, se klubi i Anderlehtit ka nisur kontaktet me përfaqësuesit e ish-sulmuesit të Juventusit dhe Italisë, Fabricio Ravaneli. Ky i fundit ka drejtuar në vitin 2013 Ajacion në Francë pa shumë sukses, por është i gatshëm që të kthehet përsëri në pankinë nëse i shfaqet një mundësi e mirë. Anderlehti, për momentin, u ka kërkuar informacion përfaqësuesve të tij nëse ai do të ishte i gatshëm të ulej në stolin e 33 herë kampionëve të Belgjikës.
Pak më shumë se një vit më parë, presidenti i Anderlehtit, Roxher Vanden Stok, deklaronte se po të ishte në dorën e tij, Hasi nuk do të largohej asnjëherë nga drejtimi i skuadrës, pasi ishte trajneri ideal. Por sezoni i kaluar, i mbyllur me vetëm një vend të tretë në kampionat dhe disfata në finalen e Kupës së Belgjikës, ka tronditur pozitat e trajnerit shqiptar. Në edicionin aktual, situata u përkeqësua me eliminimin e papritur nga Kupa e Belgjikës të mërkurën, përballë Kortrijk, me rezultatin 4-2. Tifozët kanë nisur sulmin kundër Hasit, duke i kujtuar se Anderlehti nuk po shfaqet më dominues as në kampionat, ku tashmë po dominon plotësisht Gent. Në këto rrethana, mediat belge kanë filluar të spekulojnë për një largim të Hasit në qershor, një vit para përfundimit të kontratës, pasi Vanden Stok është gati t’i besojë atij deri në fund të sezonit me shpresën që gjakovari të arrijë të kthejë përsëri Anderlehtin te titulli kampion.
Largimi i Hasit në qershor do të hapte një skenar mjaft interesant për kombëtaren shqiptare të futbollit. Ai nuk e ka fshehur asnjëherë dëshirën e tij që në të ardhmen të ulet në stolin e përfaqësueses kuqezi, objektiv për të cilin ka edhe “bekimin” e presidentit Armand Duka, i cili e kërkoi atë me ngulm para se t’i besonte pankinën De Biazit. Largimi shumë i mundshëm i këtij të fundit pas Euro 2016, për të synuar një kontratë më të majme jashtë Shqipërisë, i hap rrugën Hasit që të ulet në stolin kuqezi. Në FSHF janë të ndërgjegjshëm se emërimi si trajner i ish-mesfushorit që veshi 43 herë fanellën e kombëtares shqiptare, do të bënte më pak të hidhur largimin e De Biazit për tifozerinë kuqezi, ndaj po ndjekin me vëmendje ecurinë e ngjarjeve tek Anderlehti.shqip
















