Operacioni “PREMTIMI”, nga ana e Seksionit për Korrupsionin në Drejtorinë Vendore Policisë Tiranë – Arrestohet një prokuror për korrupsion pasiv dhe një tjetër shtetas për korrupsion aktiv – sekuestrohen në cilësinë e provës materiale shuma 29.000 euro dhe pamje filmike.
Më datën 02.12.2015, rreth orës 15:15 minuta, specialistët e Seksioni për Korrupsionin pranë Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë në bashkëpunim me Prokurorinë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për Krimet e Rënda Tiranë pas një hetimi 2 mujor, në kuadër të operacionit policor “Premtimi” u bë i mundur ekzekutimi i masave të sigurimit personal “Arrest në burg” për shtetasit: – Haxhi Giu, 55 vjeç, me detyrë Prokuror pranë Prokurorisë së Gjykatës së Shkallës së Parë Krujë, ndaj të cilit Gjykata për Krimet e Rënda Tiranë ka vendosur masën e sigurimit personal “Arrest në burg” pasi dyshohet se ka konsumuar veprën penale “Korrupsion pasiv i gjyqtarëve, prokurorëve dhe funksionarëve të tjerë të organeve të drejtësisë” të parashikuara nga neni 319/ç dhe 319 i Kodit Penal.
– Aleks Shpori, 29 vjeç, ndaj të cilit Gjykata për Krimet e Rënda Tiranë me vendim datë 02.12.2015 ka vendosur masën e sigurimit personal “Arrest në burg” pasi dyshohet se ka konsumuar veprën penale “Korrupsion aktiv i gjyqtarëve, prokurorëve dhe funksionarëve të tjerë të organeve të drejtësië” të parashikuar nga neni 319 i Kodit Penal.
Nga hetimet e kryera në kuadër të proçedimit penal, viti 2015 të Prokurorisë për Krimet e Rënda Tiranë ka rezultuar se shtetasi Aleks Shpori ka pasur vëllain e tij Gj.Shpori nën hetim me masën e sigurimit personal “Arrest në burg” pasi ai në bashkëpunim me shtetasit I.R, A. B, B. Xh.P dhe A.B janë arrestuar në flagrancë në datën 29.08.2014 për kryerjen e veprës penale “Prodhim dhe shitje e lëndëve narkotike” të parashikuar nga neni 283/2 të Kodit Penal nga ana e shërbimeve të policisë gjyqësore të Komisariatit të Policisë Krujë.
Gjatë fazës së gjykimit shtetasi Aleks Shpori është takuar disa herë me Prokurorin e kësaj çështjeje shtetasin Haxhi Giu, të cilit i ka afruar shumën 29.000 euro në këmbim të ndryshimit të masës së sigurimit personal “Arrest në burg” për vëllai e tij Gj. Shpori.
Nisur nga fakti që nuk u bë i mundur ndryshimi i masës së sigurimit personal “Arrest në burg” për shtetasin Gj. Shpori, Prokurori i çështjes Haxhi Giu ktheu shumën prej 29.000 euro tek Aleks Shpori.
Policia sekuestroi në cilësinë e provës materiale shumën 29.000 euro, DVD me pamje filmike të marra nga ambjente të ndryshme (lokale, exchange) ku janë zhvilluar takimet dhe shkëmbimi i parave ndërmjet shtetasve Haxhi Giu dhe Aleks Shpori.
















