Kompozitori i njohur Akil Koci, është pritur në Ambasadën e Republikës së Kosovës në Londër nga ambasadori Lirim Greiçevci.
Në lidhje me vizitën ambasadori kosovar në Londër, Lirim Greiçevci shkruan në Facebook:
Sot kisha nderin ta pres për vizitë në Ambasadë, kompozitorin e njohur kosovar, Profesor Akil Kocin, pjesëtar i shquar i komunitetit shqiptar të Kosovës në Londër.
Pata rastin t’i shpreh mirënjohje, në emër të Ambasadës, për kontributin e tij për përhapjen e vlerave kulturore të Kosovës në Britani të Madhe, ku ai është emër i pranuar dhe i respektuar në qarqet e kompozitorëve dhe të muzikës në përgjithësi. Profesor Koci shquhet edhe për mbështetjen e aktiviteteve të komunitetit shqiptar, sidomos në fushën e muzikës, arsimit dhe publicistikës.
Gjithashtu njoftova Profesorin Koci që, vitin e ardhshëm, për ta shënuar ditëlindjen e tetëdhjetë të tij, si dhe për ta afirmuar opusin e krijimtarisë së tij muzikore, Ambasada e Kosovës do ta organizojë një koncert solemn në Londër, me veprat e tij dhe të kompozitorëve botërorë, në bashkëpunim me Orkestrën Simfonike të Kosovës. Ky do të jetë një rast i mirë për t’i ekspozuar vlerat më të mira të kulturës muzikore të Kosovës para audiencës britanike.
Ishte edhe kënaqësi t’i pranoja si dhuratë nga Profesor Koci, shtatë libra të tij. Nga ana ime, për ta nderuar atë si pjesëtar të shquar të Diasporës sonë, unë i dhurova “Pullën e Diasporës”, e cila është lëshuar në qarkullim nga Posta e Kosovës, me kërkesë të Ministrisë së Diasporës, për nder të Ditës së Diasporës.
Profesor Akil Koci është dekoruar me Medaljen Presidenciale të Meritave nga Presidentja Jahjaga, për kontributin e tij në fushën e kulturës, me rastin e 7 vjetorit të pavarësisë së Kosovës.
















