ARBEN MANAJ
M’u desh të isha në Rusi javën e kaluar për një ditëlindje dhe kurrë nuk e pata menduar se do ndihesha aq i sigurt, aq më tepër që qëndrimi përkoi me post-rrëzimin e avionit rus në Egjipt. Nuk mund të them dot, nëse masat e sigurisë, kudo që udhëtoje në Moskë a në Shën Petërburg, ishin më të përforcuara ato ditë, por sigurisht që nga infrastruktura dukej që kishin kohë që ishin instaluar.
Kudo ndieje një ndjenjë të forte sigurie, sapo hyje në një stacion treni a metroje, e deri nëpër “Shopping Malls”, ku të duhej të kaloje nëpër skanerë, njësoj si në aeroporte, e deri te punonjësit e shumtë të sigurisë me uniforma nga më të ndryshmet nëpër ambientet e nyjave të transportit e deri te, pasja e një kabine me një punonjës, që kontrollonte kamerat në fund të çdo shkalle lëvizëse elektrike nëpër metro.
Këto masa nuk i sheh në Londër nëpër aeroporte, si në Moskë p.sh, kur na u desh të kalonim nëpër katër kontrolle deri në zonën “Departure”, në Domodedovo. Një ditë pas mbërritjes sërish në Londër dhe ekzaltimit me sigurinë ruse, vjen kasaphana aushviciane e Parisit nga neonazistët e Islamit radikal.
Kurrë nuk pata menduar se do bija dakord ndonjëherë me Putinin, edhe pse deklarata e tij, se ajo që po përjetohej në Paris ishte ajo çka përjetonin prej pesë vjetësh sirianët, ishte jashtë momentit dhe aspak elegante për staturën e tij dhe vendit që përfaqëson.
E kuptoj shumë mirë pikënisjen e arsyetimit gjeopolitik të Putinit dhe interesave nga niset për një deklaratë të tillë, pasi ai është po aq fajtor për Sirinë dhe ISIS, sa edhe shumë në Perëndim, me tolerancën që i ofruan kësaj fryme barbare kundër modernitetit dhe fondamentalizmi fetar, që kërkon një rend të ri botëror, ku vetëm mentaliteti i tyre duhet të prevalojë, e gjithçka jashtë këtij mentaliteti apo bindjesh djallëzore, do duhet asgjësuar. Por thënë kjo, Putini ka një të drejtë të madhe kur kërkon bashkimin e të gjithëve për të çrrënjosur këtë mortajë neonaziste islamike, të ngjashme me “nationalsozialismus” të Hitlerit.
Ashtu si në kohën e pragluftës së Dytë Botërore, armiku është i njëjtë për njerëzimin, e dallimet ideologjike apo diferencat në konceptet e ushtrimit të demokracisë, janë irelevante, përballë gjëmës që ofrojnë radikalët fetarë të fesë islame, që bëjnë të ndihen keq tërë besimtarët e ndershëm e të devotshëm të kësaj feje, që i ka dhënë aq shumë njerëzimit dhe historisë së tij.
Gjeo-nafta dhe imponimi i “Pranverave” në shoqëri, që nuk e njohin këtë stinë në mentalitetin dhe praktikën mijëravjeçare të jetëgjatësisë së tyre, bashkë me tentativat për të zhbalancuar ekuilibrat e dikurshëm funksionues të bipolaritetit ndërkombëtar gjatë Luftës së Ftohtë, janë deri diku shkaqet e daljes në skenë dhe tolerimit okult të ithtarëve të Shtetit Islamik dhe Kalifatit të tyre virtual.
Demokracitë perëndimore dhe Rusia, por edhe aktorë të tjerë më pak ndikues rajonal, mbajnë përgjegjësinë për tolerimin dhe miopinë e tyre ndaj IS, në kushtet e një bote, ku gjithçka përcaktohet nga teknologjia dhe gjenden shumë zgjidhje për sfida prej saj, qoftë edhe ushtarake. Është tërësisht e pashpjegueshme për mua, që Perëndimi në tërësi, të mos vepronte ushtarakisht ndaj formacioneve të ISIS, të cilët në ambiente shkretëtire dhe jo kamuflazhi territorial, siç janë hapësirat, ku operojnë në Siri e Irak, të mos jenë më efektivë në asgjësimin e pozicioneve dhe formacioneve të tyre. Në një kohë kur çdo objekt poshtë një milimetri mund të shikohet nga dhjetëra km lart e nga satelitet, apo në kushtet kur metadata ofron informacione vendndodhjesh si kurrë më parë, luftëtarët e IS-it kanë operuar mizorisht dhe bërë siç kanë dashur.
Naiviteti dhe toleranca ekstreme e qeverive perëndimore që në vendet e tyre lejojnë të gëlojnë haptazi gjithfarëlloj radikalësh rekrutues fetare, që bëjnë propagandë të hapur përmes internetit dhe rrjeteve sociale, duke deklamuar një luftë të hapur ndaj mënyrës perëndimore të jetesës, është pjesë e arsyeve se përse rekrutimi çojë në radikalizimin e shumë myslimanëve të lindur e rritur në Perëndim.
Qoftë edhe hapja e pashpjegueshme e kufijve me krizën e fundit të refugjatëve, me një bekim të heshtur nga Merkel, siç e kam shkruar edhe në një shkrim kur sapo filloi ajo krizë në po këtë gazetë, do kishte implikime të mëdha në fushën e sigurisë, pasi IS-i mund të infiltronte luftëtarët e vetë në mesin e refugjatëve, siç edhe po vërtetohet nga sulmet e Parisit, ku disa nga terroristët janë të ardhur rishtazi në mesin e refugjatëve nga Siria.
Ata që bënë atë që bënë në Paris nuk janë refugjatë, por terroristë të kamufluar si refugjatë. Askush nuk e di sesa janë në mesin e afro një milion refugjatëve të ardhur në Europë këta muaj, si ata që masakruan Parisin. Askush nuk e di sa prej tyre janë ndërkohë në Paris, Londër, Berlin a Romë. Ajo që dihet është se kjo luftë e shpallur ndaj mënyrës sonë të jetesës do zgjasë, dhe ashtu si në kohën e luftës kundër nazizmit, lipset një front aleatësh të pasardhësve të Stalinit e Rusveltit e Çurçillit, kundër Aksit të së Keqes, së Abu Bakr al Bagdadit e xhihadistit John.
Përndryshe nuk është çështja nëse, sesa kur, të gjithë ne që jetojmë nëpër Europë e në Perëndim, do kemi fatin e viktimave të Parisit, pa u diskriminuar, nga feja, bindjet dhe kundërshtitë apo aprovimet e politikave të shteteve ku jetojmë apo shtetit që ISIS kërkon të instalojë.















