Deputeti socialist Ben Blushi në fjalën e tij në Kuvend ka sulmuar qeverinë për projekt-ligjin e kriminalizimit të shpifjes. Ai tha se askush nuk shkon në burg, nëse është politikan. Por sipas tij të gjithë njerëzit e tjerë shkojnë në burg, përveç politikanëve.
“Mund të shkosh në burg si, student, tregtar, shofer, gazetar, por si politikan nuk shkon asnjëherë në burg”, tha Blushi gjatë fjalës së tij në Kuvend.
NGA FJALA E DEPUTETIT BEN BLUSHI NE KUVEND
Unë isha në Bruksel para dy ditësh dhe me atë rast dua të them dy fjalë. Ajo që kuptova në fakt është se Evropa kërkon të na integrojë, po ne nuk duam. Edhe Progres Raporti i fundit ishte shkruar më mirë se ç’mund ta shkruajë çdo shqiptar në emigracion dhe Evropa kërkon të na integrojë kështu si jemi.
Se është më mirë të integrohet një vend si ne, sesa të lejohet ‘të rrjedhë’ çdo ditë një popull derisa të bëhet i paqeverisshëm, se ne nuk do të qeverisemi më pas ca kohësh.
Evropa po bën çdo përpjekje të na integrojë dhe ne që të mos integrohemi. Njera palë është që kërkon të bashkohet dhe tjera ta pengojë. Në fakt ka një palë tjetër që humb, pala shqiptare.
Për shkak të trukeve, sajesave proceduriale, integrimi i shqiptarëve është shtyrë dhe nuk mbaron, po vetëm rifillon. Disa vite më parë ishim ne me “qarkun e Fierit” që e penguam dhe tani një palë tjetër…Ky është një ping-pon absurd se kush e vonon më shumë.
Është fjala për ligjin e dekriminalizimit.
Unë jam i bindur se europlarlamentarët i bëjnë të njëjtën pyetje vetes: A duan këta të integrohen apo jo? Unë mendoj se të dyja palët duam, por janë ca kushte që koha po i tejkalon.
Disa kolegë të opozitës e kushtëzuan reformën në drejtësi me ligjin e dekriminalizimit, sepse ky parlament – sipas tyre i mbushur me kriminelë – nuk ka të drejtë të kryejë reformën. Pra, “ kriminelët” të dalin, se nuk kanë të drejtë të votojnë “gjykatësit” e tyre.
Edhe unë besoj deri diku se kriminelët s’kanë të drejtë të zgjedhin gjykatësit, por ky është perceptimi popullor sot për ne. Ky parlament nuk i ngjan asnjë parlamenti në Evropë; ka aq shumë njerëz me të kaluar kriminale sa më duket vetja si në paraburgim.
Ky është për turpin e atyre i sollën, që i përdorën për vota, se më këtë i kanë vënë një damkë këtij parlamenti, që do të hyjë në analet e Kuvendit si me qesharaku. Po fatkeqësisht ky është legjitim dhe populli i ka votuar se s’ka pasur një ofertë më të mirë dhe ka votuar për listën e partive.
A do të ishte ky parlament kaq i shëmtuar dhe i ndotur nësë në Shqipëri do të kishte pasur drejtësi të pavarur?
Unë mendoj jo! Se drejtësia do të duhej të ishte për të mos favorizuar kriminelët dhe korrupsionin dhe për të ‘pastruar’ parlamentin. Unë nuk besoj më se dy palët në këtë vend kanë aftësi, kompetencë dhe vullnet për ta ‘pastruar’, por ka vetëm dy mundësi për ta konsumuar:
E para, nëse është populli shqiptar që merr vendim të na nxjerrë ne të gjithëve jashtë;
E dyta, nëse drejtësia funksionon, një pjesë e mirë e anëtarëve këtu s’do të kishin vend.
Pra, nëse ka një punë që ne s’i ikim dot, është vetëm reforma në drejtësi. Ky parlament ka vetëm një shans me zgjedhësit e vet në borxh, që ose të reformojë sistemin e drejtësisë, ose t’i dorëzohet drejtësisë. Pra, çdo akt që ju përdorni, nëse nuk është truk, që ta kushtëzoni reformën në drejtësi me dekriminalimin, është një peng.
Ka një debat të madh në Shqipëri që e bëjnë jashtë dhe njerëzit e thjeshtë se kush e e meriton realisht që duhet të shkojë në burg. Shkon në burg si shofer kur shkel rregullat e qarkullimit, si fukara kur nuk paguan dritat, si konsumator kur s’ke kupton, si sipërmarrës kur nuk paguan taksat, si gazetat kur e deformon të vërtetën
…Po pyetja është: Si politikan, a shkon në burg?
Jo, deri tani s’ka ndodhur. Të gjithë kanë shkuar dhe janë gati duke shkuar dhe pyetja nuk është imja, po jashtë kësaj salle.
Çfarë janë këta që hyjnë në burg? Këta janë zgjedhës. Ky është ndryshimi ynë, që zgjedhësi shkon dhe i zgjedhur nuk shkon në burg, sepse ne nuk kemi bërë asnjë ligj apo reformë që na ndëshkon ne. Edhe kur është e dukshme, ne përdorim procedurën për të shmangur drejtësinë.
A kanë të drejtë zgjedhësit, si shoferi, beriberi,fukarenjtë, të pyesin pse “ne shkojmë në burg dhe ju jo?”
Ka ardhur koha që t’i japim përgjigje kësaj pyetjeje. Pra, këtu merr përgjigje pyetja pse ata zhduken çdo ditë në emigracion; është zhdukuar në një vit një numër i barabartë me një qytet, me një qytet sa Elbasani. Ata nuk ikin se janë të varfër, po ikin se këtu nuk ka drejtësi, se 70% që shkojnë nëpër shkolla – me statistikë kjo – nuk gjejnë punë kur dalin; se nuk ka asnjë vend që e edukon më keq rininë e vet si ne. Po çfarë do të bëjnë këta, do rrinë këtu të na dëgjojnë ne?!
200 mijë shqiptarë kanë aplikuar për në SHBA, që është shkalla më e lartë e emigracionit në Evropë në proporcion me popullsinë – nuk është problem kjo për rusët – se ata besojnë se ata që i bëjnë më shumë dëm këtij vendi, jemi ne, është pandëshkueshmëria jonë dhe ne jemi e vetmja sallë në Evropë që po na ikin zgjedhësit. Pra, o t’i dorëzohemi papunësisë – o drejtësisë, se rrugë tjetër nuk ka për ne!















