Nga Emanuel Bajra
Në fillim muajin tetor doli nga shtypi libri i Lord Michael Ashcroft dhe Isabel Oakeshot I quajtur “Call me Dave” ( Më thirrë Dave ) që supozohet të jetë një biografi e pa autorizuar e kryeministrit aktual konservator David Cameron.
Libri bëri bujë të madhe duke u shitur në qindra mijëra kopje që nga dita e parë e daljes nga shtypi, pasi që vetë fakti që ishte një biografi e pa autorizuar e bënte atë edhe më tërheqëse për lexuesin politik dhe jo-politik Britanik.
Ironia e këtij botimi është se Lord Ascroft pasi ishte rekrutuar si sponsorues kryesor i partisë Konservatore që në vitin 2005, kishte dhënë në mbi tetë miliona stërlinga për këtë parti, duke i bërë të mundur makinerisë së mprehtë konservatore të fitonte zgjedhjet e vitit 2010 dhe suksesin e dytë në verën e këtij viti.
Paratë e Lord Ashcroft ndihmuan këtë parti të konsolidojë radhët dhe të zhvillojnë një fushatë ultra-profesionale në zgjedhje, si edhe në rekrutimin e një personeli super-profesional po ashtu, nga sektorët e ndryshëm të ekonomisë publike dhe atij privat.
Pra brenda dy vitesh a tre, kjo parti u shndërrua në një parti e reformuar dhe e modernizuar me premtime shumë të mëdha për vendin.
Në disa pjesë të librit ( të cilin autori e ka lexuar ) flitet për disa takime të rëndësishme dhe intime që Lord Ashcroft dhe David Cameron kishin zhvilluar menjëherë pas zgjedhjeve të vitit 2010. Aty Lord Ashcroft i kishte kërkuar DC që t’i gjente atij një vend pune në administratën e re Konservatore.
Duhet theksuar se ky i fundit, jo vetëm që është një miliarder i super-pasur në Britani, por njihet edhe si matës pulsi dhe parashikues i fortë i zgjedhjeve me një makineri të përsosur profesionistësh të punësuar nga Ashcroft Foundation. Pra një njeri shumë i pasur por që kërkonte thyrje/qasje në majat e hierarkisë politike , pra synimin për pushtet.
DC I kishte thënë këtij të fundit, se i vinte shumë keq që nuk kishte mundësi të bënte diçka konkrete për Lordin, por i premtoi që ta punësonte si një konsulent/këshilltar i rangut të mesëm në FCO ose Ministrinë e Jashtme. Lordi ishte ofenduar dhe që nga ai moment, kishte filluar të krijonte një distancë të caktuar nga DC.
Kaluan më shumë se pesë vite dhe Lordi Ashcroft publikoi librin e tij, ku në mes tjerash e përlyen karakterin dhe moralin e kryeministrit, duke shkruar se dikur në fillim vitet e 80-ta kur Cameron ishte student në Oxford , ai ishte propozuar të iniciohej në një shoqatë/klub studentësh të dehur dhe se si pjesë e ceremonisë së inicimit, ai duhej të zhvishej dhe që me gjenitalin e tij, të ia mbushte gojën një thiu të prerë mu në tavolinën e ceremonisë.
Edhe Lordi është mëse i bindur se kjo ishte e vërtetë dhe se ka dëshmitarë që janë në gjendje të konfirmojnë këtë. Kryeministri, mësohet ta ketë denoncuar këtë si përpjekje për të njollosur karakterin e tij dhe se ato ishin të pa vërteta.
Duke shfletuar faqe të ndryshme të librit , nuk mungojnë shumë kapituj interesant të biografisë së kryeministrit, ku në mes tjerash mëson shumë mbi përpjekjet e vuajtjet e mëdha që familja Cameron kishin përjetuar, pasi që babai dhe i biri i kryeministrit ishin të paralizuar të dy që në fëmijëri, po asgjë nuk i kishte ndal ata të ngriheshin e të arrinin sukses në jetë.
Një detaj shumë interesant përshkruhet aty kur babai i Davidit, i ndodhur si i pa aftë pasi që këmbët e tij i kishte të pa lëvizshme, duke vuajur nga një formë e përafërt me Polio, ishte ngritur të bëhej një bankier i suksesshëm, duke e rritur pasurinë familjare në shumë miliona. Ai ashtu me të gjitha vështirësitë fizike që përjetonte kishte udhëtuar me milje të panumërta për në Londër për të fituar paranë e ndihmuar familjen.
Momente me të vërtetë inspiruese për të cilat DC ishte shprehur se kjo histori e të tjerë të bëmash të familjes, e kishin inspiruar atë të bëhej politikan dhe kryeministër që në fëmijëri.
Libri në përgjithësi kap pjesë shumë të rëndësishme në lidhje me jetën e DC dhe është një pejzash ndryshe Iisfondit shumë të pasur me skandale e afera të ndryshme të politikës moderne Britanike, por çka mbetet interesante dhe e çuditshme, është edhe mënyra se si Lord Ashcroft kishte arritur ta punësojë Isabel Oakeshot për ta ndihmuar atë të shkruante këtë biografi intriguese.
Isabel Oakeshot është një gazetare e njohur Britanike e cila mbulon politikën dhe Parlamentin në gazetën The Sunday Times dhe Evening Standard.
Kësaj të fundit iu kishte bërë e mundur që të ketë qasje në arkivat jo-publike të 10 Downing Street dhe kishte arritur që të intervistojë DC shumë herë nën pretekstin se ajo po shkruante një biografi koncize mbi të. Asnjëherë askujt nuk i kishte shkuar ndërmend se ajo po ndihmonte Lordin Ashcroft që të publikonte një punim kundërthënës kundër një politikani të suksesshëm Konservator më i suksesshmi që nga Thatcher.
Kuptohet si çdo biografi tjetër e liderëve dhe personazheve të ndryshëm në botën politike, atë të artit dhe kulturës, portretizimi i karaktereve qendrore në biografi në një mënyrë a tjetër personifikon edhe dinamikën e kohës kur konteksti në të merrë formë. Në rastin e “Call me Dave”, ajo karakterizon më shumë dinamikën e ndryshimeve që do të ndodhin në spektrin politik por edhe në fundamentet kryesore të shoqërisë Britanike.
Që nga fillim-viti tjetër pritet që administrata konservatore të turbo-shpejtojë masat e reduktimeve buxhetore duke I atakuar kështu klasën e varfër dhe ata që ndodhen me ndihma sociale siç janë familjet me të ardhura të vogla, nënat pa bashkëshortë , studentët dhe të rinjtë e rejat e moshave 18-25.
Këto reduktime jo veç se janë ideologjike por do të shkruhen në historinë më të re të Britanisë si masa që formësojnë një karakter neo-liberal të shoqërisë dhe transformimin e ekonomisë prej asaj të laisez-fair në një ekonomi mbi baza individuale dhe shtetit të tkurrur.
















