Në kuadër të BarCamp-it të 21 që do të mbahet më 6 nëntor me fillim nga ora 19:00, tek Lumëbardhi në Prizren, do të diskutohet për poezinë.
“Koncepti për poezinë ka ndërruar, e vazhdon të ndërroj që prej ditës kur është shkruar poezia e parë, e është e sigurt, që do të vazhdoj të ndërroj edhe në të ardhmen gjithashtu.
Disa e quajnë poezinë art, disa tjerë jo. Disa e quajnë poezinë filozofi, e disa të tjerë jo. E një grup krejt tjetër, e quan poezinë vetëm imitim të imitimit!
E poezia, si poezi, është e njëjta që prej fillimit të saj, e besohet që do të jetë e njëjta edhe në fundin e saj”, thuhet në kumtesën e organizatorëve.
Para të pranishmëve për poezinë do të flasin: Ndriçim Ademaj, shkrimtar i ri, Florian Kienzle, magjistër i letërsisë amerikane dhe Dea Saraqini që do të rrëfej për takimet letrare “Slam Poetry”.
BarCamp është një ngjarje joformale që përkrahet nga komuniteti dhe në mes tjerash i jep shumë rëndësi debatit interaktiv ndërmjet folësit dhe pjesëmarrësve.
Ky eveniment ka për qëllim t’i motivoj pjesëmarrësit që të marrin pjesë në një epokë të re të lidershipit dhe të nisin ndryshime pozitive në shoqëri. Me integrimin e biznesit, teknologjisë dhe temave sociale në një vend, këto ngjarje joformale ofrojnë vendin ideal për ndarje të ideve, zgjerim dhe krijim të lidhjeve të reja shoqërore.
Kjo ngjarje organizohet nga OJQ THY dhe mbështetet nga Fondacioni IPKO.


















