(Intervistë e shkurtër me historianin, autorin e botimit “KOSOVA”, Jusuf BUXHOVI)
Nga tri vëllime, sa ka qenë botimi i fundit i librit “Kosova”, nga historiani i njohur Jusuf Buxhovi, tashmë vjen si botim i plotësuar në pesë vëllime, botues “Jalifat Publishing”-Houston (SHBA).
Pse pesë vëllime?
Buxhovi: ” Është fjala për një plotësim përmbajtësor të veprës mbi konceptin e historisë kritike. Ky plotësim ruan konceptin themelor të tezave te parashtruara në trivëllimshin: siç janë Lidhja Pellazge, Dardania qendër e Antikitetit dhe e Bizantit, njëherazi epiqendër e antikitetit shqiptar me të cilin lidhet Troja, Mbretëria Bryge dhe Hitite si dhe krijimi i Perandorisë së Romës, ku fiset dardane (Galabret dhe Tunat) patën rol vendimtar.
Dardania po ashtu shikohet si fortesë kryesore dhe e fundit e Bizantit në Mesjetë. Thellimi te çështja dardane dhe Mbretëria e Dardanisë ka për qëllim që të rikthejë Dardaninë dhe rëndësinë e saj në historiografinë shqiptare, Por njëherësh me ngritjen e kësaj çështjeje dhe trajtimin e saj historik u ndërpritet rruga spekulimeve dhe gënjeshtrave të shumta të historiografisë serbomadhe rreth shtetit mesjetar serb Rasienë ( Rashës) si gjoja “fortesë” e Mbretërisë Nemanjase.
A ishin serbët Tribal?!
Buxhovi: “Nga pikëpamja ime, gjithnjë duke u mbështetur në dokumente autentike bizantine (Porfyrogeni e të tjerë), del se Dinastia Nemanjane e Rashës nuk ka kurrfarë lidhje me serbët siç thuhet, por është me origjinë Tribale-Dardane. Unë sjell fakte bizantine të cilat ekskluzivisht Nemanjasit i cilësojnë Tribal. Historiografia serbe në mënyrë skandaloze( (shih Encikopledinë e ASHA ku Tribalët quhenë serbë!) Të kësaj natyre janë edhe falsifikimet e tjera për Stefan Dushanin, të cilin S. Novakoviq në librin “Zakonik Cara Dushana” (1908) pranon se nuk ka kurrfarë “Zakoniku” nga Mesjeta, por e gjithë vepra e tij është një harrnim me të cilin duhet “ të shpiket Zakoniku”! Këso dhe “fakte të tjera” ka plot e përplot, ndër të cilat më të keqinterpretuarat janë kristobulat e kishave ortodokse (povelat) në Dardani me të cilat pretendohen “tapitë” shpritërore serbe në Kosovë.
Trajtoni proceset e islamizimit dhe të ashtuquajturin “identitet” të shqiptarëve?
Buxhovi: “Një çasje tjetër lidhet edhe me rishqyrtimin e Perandorisë Osmane sidomos proceset e islamizimit dhe të të ashtuqajturit “identitet islam” të shqiptarëve me të cilin është spekuluar dhe spekulohet me të madhe. Te kjo çështje merren në konsideratë faktet historike, por edhe realitetet historike, meqë këto të fundit, nuk përfunduan në vitin 1912, e as më vonë, që si mentalitete dhe faktorë shoqërorë, kulturorë vazhduan të ushqejnë anatemën politike ku shqiptarët, në njërën anë shiheshin “mbetje të rrezikshme të fundamentalizmit islamik”, dhe në tjetrën të mbrojtësve të fundit të qytetërimit perëndimor. Në vëllimin III (Perandoria Osmane), Kosova shihet si epiqendër e lëvizjes Kombëtare Shqiptare, ku, me themelimin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit lindi nacionalizmi politik shqiptar dhe u vunë themelet e shtetit shqiptar, i mbështetur mbi konceptin e një Shqipërie osmane, që do të përfundonte në Shqipërinë Europiane. Këtë koncept më së miri e shprehu Katërmbëdhjetëpikëshi i Hasan Prishtinës në Shkup, në gusht të vitit 1912, që i parapriu shpalljes së shtetit shqiptar më 28 nëntor në Vlorë”.
Në Vëllimin V ju trajtoni procesin e shkëputjes së Kosovës prej Serbisë dhe fillimi i shtetndërtimit?
Buxhovi:”Ndryshime dhe plotësime të ndjeshme bëhen edhe në Vëllimin IV (Kosova 1912-1945) dhe Vëllimi V (Kosova 1945-1999), ku rishqyrtohet shumëçka nga shtetëndërtimi shqiptar , ku Kosova luan një rol shumë të rëndësishëm dhe poashtu shtetëndërtimi i Kosovës si një proces historik i cili lidhet me Plenumin e Brioneve të vitit 1966, ndryshimet kushtetuese të vitit 1974 e deri te shfaqja e Millosheviqit në vitin 1986 kur ai fillon procesin e rrënimit të Jugosllavisë i cili duhej të kalonte nëpër rrënimin e Kosovës në vitin 1989. Nga ky vit e deri në 1999 kemi përqendrimin të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare e filluar me themelimin e Lidhjes Demokratike të Kosovës (23 dhjetor 1989), me çka fillon procesi i shkëputjes së Kosovës prej Serbisë dhe fillimi i shtetndërtimit, i cili kaloi nëpër infrastrukturën demokratike: Deklarata Kushtetuese e 2 Korrikut, Kushtetuta e Kaçanikut, Referendumi për Pavarësi (1991), Zgjedhjet e para të lira (1992) dhe krijimi i Qeverisë së Kosovës (1992). Kjo periudhë paraqet kompleksitetin e rezistencës institucionale (shteti paralel) dhe të rezistencës së armatosur. Në përputhje me dokumentet më të reja të vendeve perëndimore, rezistenca e armatosur del si pjesë e lëvizjes institucionale së cilës me pa të drejtë i është vënë anatema përçarëse se në “paqësorë-tradhtarë” dhe “luftëtarë- çlirimtarë”!
E shqyrtoni si historian periudhën e UÇK-së, FARK-ut dhe konfuzionet e më pastajme që patën pasoja të pashërueshme?
Buxhovi: “Në vëllimin V konkludohet se rezistenca e armatosur ishte e përbashkët, që përkundër problemeve dhe vështirësive që kishte, ajo pati një qendër dhe ruajti frymën institucionaliste. Mjafton këtu të përmenden rasti i Marrëveshjes së vitit 1991 ndërmjet Ramiz Alisë dhe Ibrahim Rugovës për përgatitje ushtarake të vullnetarëve nga Kosova në Shqipëri, ku ishin të përfshirë edhe Adem Jashari, Sali Çekaj, Zahir Pajaziti e të tjerë, e të cilët ishin pjesë aktive e LDK dhe komandantë të Gueriljes së Republikës së Kosovës deri në vitin 1996. Ky vit është domethënës ngaqë në mungesë të përkujdesjës institucionale ndaj këtyre grupeve (e Qeverisë së Bukoshit) ata u përfshinë në veprimtarinë e LPK-së dhe LKÇK-së. Ky “konfuzion” u bë edhe më i madh me shfaqjen e FARK-ut, ngaqë koncepti i drejtimit institucional të luftës (nga Ministria e Mbrojtjes e Ahmet Krasniqit) dështoi. Kjo solli edhe konfuzitet në radhët e rezistencës së armatosur gjë që nuk ngeli pa pasoja”.
Të pesë librat përcillen me dokumente autentike. Kjo vlen veçmas për Vëllimin 4 dhe 5 të cilët shoqërohen me shumë dokumente, më anën së cilave hedhet dritë në ngjarjet që deri më tash kanë qenë të mjegulluara./ 21 Media



















