Ambasadori i Britanisë së Madhe, Ruairi O’Connell, ka folur për demarkacionin me Malin e Zi dhe Asociacionin e Komunave serbe.
O’Connell ka thënë se me sa di demarkacioni është bërë sipas kufirit të Kosovës të vitit 1974.
“I kam lexuar dokumentet, i kam para dëshmitë dhe është kufiri i njëjtë me 1974. Ky është kufiri që është përdorur për t’i dhënë Kosovës autonomi, ky është kufiri që është përdorur për t’i dhënë Kosovës pavarësi”, ka thënnë O’Connell në Klan Kosova.
Por, ai ka shtuar se nëse dikush ka dëshmi për të kundërtën duhet t’i prezantojë.
“Nëse ka dëshmi që është bërë ndonjë gabim, mund të përdoret në Parlament dhe mund të korrigjohet brenda institucioneve”, ka shtuar ai.
Sa i përket Asociacionit, diplomatik, britanik ka thënë se nuk paraqet “bosnjëzim” të Kosovës, siç thotë opozita, sepse ashtu nuk do të kishte kuptim investimi i bërë për gjithë këto vite në Kosovë.
“Asociacioni ka qenë proces mes Serbisë dhe Kosovës, si dy shtete të barabarta”, ka thënë O’Connel.
“Unë e kuptoj që njerëzit janë të frustruar. Me këtë Asociacion nuk ka rrezik për krijim të një Bosnje në Kosovë”, ka theksuar ai.
“Pse do të kishim investuar miliarda funte në Kosovë? Pse do të duhej të vdisnin 14 ushtarë britanikë? Për ta krijuar një shtet brenda Kosovës? Nuk ka sens”, është shprehur ambasadori britanik.
“Sovraniteti i Kosovës do të zgjerohet deri në kufi me Serbinë në veri të Kosovës dhe kjo është gjë e vlefshme”, ka theksuaer ai.
















