Komunat e Plavës dhe Gucisë konsiderohen zonat me shpërnguljen më të madhe të shqiptarëve nga Mali i Zi. Statistikat tregojnë se më shumë se gjysma e shqiptarëve nga këto dy komuna gjenden në botën e jashtme.
Analistët thonë se vazhdimi i trendit aktual të shpërnguljes do të ketë pasoja afatgjata për qenësinë e shqiptarëve në këtë vend.
“Mërgimi është brenga më e madhe e banorëve të kësaj treve”, thotë analisti Shaban Hasangjekaj.
Ai tregon se në fshatin Martinaj dikur kanë jetuar 60-70 familje, ndërsa shkolla e fshatit, e cila dikur i ka pasur mbi 80 nxënës, tani i ka vetëm 10-12 nxënës, të bashkuar në dy klasë.
“Jemi të brengosur se për disa vjet kjo shkollë do të mbyllet plotësisht”, ka thënë Hasangjekaj.
“Unë e mora shembull vetëm fshatin Martinaj, por një gjendje e tillë është edhe në fshatrat Vuthaj, Hakaj, Krushervë, në lagjet Kukaj etj. Të komunës së Gucisë, si edhe në disa fshatra të komunës së Plavës.
Tahir Gjonbalaj, këshilltar i komunës së Plavës ka thënë se me këtë shkallë të migrimit shumë shpejt do të thuhet se këtu kanë jetuar dikur shqiptarë.
Ndërkaq, Ahmet Gjonbalaj, këshilltar në komunën e Gucisë, ka thënë se shpërngulja është shumë e madhe.
“Për shembull, në Vuthaj tabni jetojnë rreth 350 banorë, ndërsa të regjistruar janë rreth 1900 banorë. Kjo do të thotë se është një përqindje shumë e vogël e banorëve të fshatit që jetojnë këtu”, ka thënë ai.
Shkaqet e shpërnguljes së shqiptarëve nga këto zona janë të shumta, por shkaktarë kryesorë konsiderohen papunësinë, gjendja ekonomike dhe diskriminimi politik.
Ahmet Gjonbalaj thotë se shkalla e përfaqësimit të shqiptarëve në administratën shtetërore dhe në organet e qeverisjes është shumë e ulët.
















