Kur Lulzim Basha doli për herë të parë në një konferencë për shtyp, për të denoncuar atë që e quajti afera CEZ, pak pasi shteti shqiptar kishte mbyllur një çështje ligjore me gjigandin çek të energjisë, shumëkush u habit nga shifra që ai prezantoi.
Sipas tij, bëhej fjalë për një abuzim në shifrën e 600 milionë eurove, në kurriz të taksapaguesve shqiptarë.
Por publikimi më vonë i një dokumenti që lidhej me një kompani të kontraktuar për mbledhjen e borxheve të CEZ, hapi lojën se kush është i sulmuari në këtë mes.
Në dokument thuhej se një ish-kryeministër ka përfituar shuma të mëdha. Megjithëse nuk përmendej emri, u aludua se ishte Ilir Meta.
PD deklaroi se dokumenti ishte hartuar nga avokatët e qeverisë, pra ishte një sulm i Edi Ramës ndaj aleatit, Ilir Meta.
Ky i fundit hapi një tjetër pistë, kur deklaroi se firma avokatore ishte kontraktuar nga qeveria e Sali Berishës. Pra ishte një sulm që Lulzim Basha po e bënte ndaj ish-kreut të PD, si shkak i luftës së brendshme në PD.
Akuzat dhe kundër-akuzat vijuan deri në ditën kur PD dhe LSI “ranë dakord” që të ketë një hetim ndërkombëtar për këtë ngjarje.
Ujërat u turbulluan sërish të premten, kur kreu i PD, Lulzim Basha akuzoi fort Ilir Metën dhe përsëriti sërish se: “Kjo është tango kriminale që po kërcehet nga dy kumbarët, që kërcënojnë, godasin njëri-tjetrin por edhe mbahen fort pas njëri-tjetrit për hir të qindra milionë eurove”.
Pak pas tij, nënkryetari i LSI, Ylli Manjani e sulmoi Bashën me një fjali, që la hapësirë për interpretime.
“Jam në këtë komunikim me ju sigurisht në përgjigje të shqetësimeve, që ngriti djaloshi “200 milion eurosh”, shtetasi holandez Lulzim Basha, në krye të Partisë Demokratike. E meriton sigurisht një sqarim, sepse shtetasi holandez, e përsëris “200 milionësh”, recitoi një vjershë që e kishte shkruar vetë, një vjershë shumë interesante në fakt, duhet të kemi një vëmendje të dëgjoni deri në fund se pritet të ketë strofa shumë interesante”.
Por fjala 200-milionësh ka hapur mundësinë për të tjera spekulime.
Këto ditë opozita po e etiketon zotin Rama si “kokoshi 200-milionësh”, duke iu referuar një raporti të OSBE, ku thuhet se Edi Rama ka një pasuri prej 200 milionë euro.
Megjithatë duket se Manjani e ka fjalën për akuzën e dikurshme për abuzimet me rrugën Durrës-Kukës.
E vendosur në kontekstin kur ka kaq shumë spekulime për aleanca të mundshme mes PD dhe PS, PD dhe LSI, apo për krisje PS-LSI, afera e CEZ ka marrë flakë në rrjet.
Por kush është i humburi më i madh në këtë histori?
Deri tani duket se të gjithë janë njësoj. Por kur janë të gjithë njësoj, ky është ai momenti që nuk i pëlqen kryeministrit Edi Rama. Edhe kur ambasadori amerikan e barazoi me opozitën për çështjet e krimit, ai reagoi i zemëruar.
Nuk është pak që të jesh njësoj, kur ke vetëm dy vite në pushtet.
















