Një i ri 18-vjeçar është rrahur të mërkurën në mbrëmje, në Novi Sad, vetëm pse ka folur në gjuhën shqipe, raporton gazeta beogradase “Blic”.
I riu, përkatësia nacionale e të cilit nuk është njoftuar, është rrahur nga dy persona të panjohur, pas përfundimit të bisedës me telefon me nënën e tij, në gjuhën shqipe. Dy sulmuesit, së pari i kanë kërkuar cigare dhe më pas e kanë rrëzuar përtokë dhe e kanë goditur derisa ka ndërhyrë një kalimtar.
“Dëgjova disa hapa që po më afroheshin dhe më pyetën nëse kam cigare. Unë u thash që nuk pi duhan, kurse ata filluan menjëherë të më goditnin me grushta dhe me shqelma… Për fat të mirë më doli në ndihmë një kalimtar. Po të mos të ishte ky njeri i moshës së mesme, nuk e di se si do të kisha përfunduar. Djemtë që më rrahën ikën”, ka treguar D.K.
Ai ka thënë se djemë që e sulmuan nuk kanë qenë më të vjetër se 25 vjeç.
“Unë nuk e di se kush më sulmoi, por mendoj se problemi i vetëm ishte se unë fola në telefon në gjuhën shqipe, me nënën time. Unë kurrë nuk kam përjetur diçka të tillë, bile as në qytetin ku jam rritur”, ka shtuar D.K.
Raporti, përveç përkatësisë nacionale, nuk e zbulon as vendlindjen apo vendbanimin e djaloshit të rrahur.















