Ai akuzohet si i përfshirë në një konflikt të armatosur mbrëmjen e së premtes në Laç, ku mbetën të plagosur 7 persona
Me 118 vota pro, 1 kundër dhe asnjë abstenim Kuvendi votoi heqjen e imunitetit të deputetit të qarkut të Lezhës, Armando Prenga, duke i hapur rrugën drejtësisë për arrestimin e tij.
Sesioni i ri kuvendor nisi sot punimet me miratimin e kërkesës së Prokurorisë për heqjen e mandatit të deputetit të PS, Armando Prenga.
Ai akuzohet si i përfshirë në një konflikt të armatosur mbrëmjen e së premtes në Laç, ku mbetën të plagosur 7 persona.
Vetë deputeti Armando Prenga nuk ishte i pranishëm në sallë, paravërisht se i ishte bërë njoftimi, – siç njoftoi kryeparlamentari Meta.
Ndaj kërkesës së prokurorisë për heqjen e mandatit të deputetit Prenga, ish-kryeministri Sali Berisha hodhi akuza ndaj kryeministrit Edi Rama, të cilin e akzuoi se ka futur në parlament kriminelët.
“Futi kriminelët në Parlament. Parlamenti është kthyer në strofull e kriminalitetit”-tha Berisha.
Prokuroria e Përgjithshme i kërkoi Kuvendit aprovimin për arrestimin e Prengës, ndërsa Këshilli i Mandateve dhe Imunitetit vendosi mbrëmjen e së dielës, ta pranojë këtë kërkesë duke i çuar Kuvendit propozimin për t’i hequr imunitetit deputetit e për t’i hapur rrugë hetimeve.
Para votimit, në hapje të seancës, kryetari i Kuvendit, Ilir Meta bëri një paraqitje të prioriteteve të legjislaturës për këtë sesion, duke ftuar për bashkëpunim opozitën. Ai tha se në këtë sesion do të miratohet reforma në drejtësi, do të punohet për integrimin e Shqipërisë në BE dhe do të mund të miratohet gjithashtu ligji për dekriminalizimin e politikë.
“Uroj një fillim të mbarë, për përmbushjen me sukses të reformave që na presin. Shpreh bindjen se me një vullnet më të madh të përbashkët dhe bashkëpunim pozitë opozitë dhe me përfshirjen e ekspertëve dhe të ndërkombëtarëve kuvendi do t’ja dalë të miratojë reformën e drejtësisë e cila duhet ti shërbeje qytetarë dhe të garantojë konsolidimin e mëtejshëm të shtetit të së drejtës. Në fokus të punës së këtij sesioni do të vijojnë të jenë proceset integruese”- tha Meta.
Kreu i Kuvendit apeloi për një bashkëpunim konstruktiv mes opozitës dhe mazhorancës duke e parë këtë si të vetmen mënyrë për të finalizuar këto procese.
“Shpreh bindjen se përmes bashkëpunimit mazhorancë opozitë do të rrisim standardet e përfaqësimit publik të qytetarëve tanë, duke filluar nga kuvendi dhe duke finalizuar edhe procesin e dekriminalzimin për një përfaqësim më të denjë ndaj qytetarëve tanë“- u shpreh kryeparlamentari.
Entela Muçelli















