Sipas një zëdhënësi, që nga janari deri në gusht të këtij viti në Gjermani janë regjistruar rreth 413,535 azilkërkues, si pas sistemit gjerman “Easy System”
Entela Muçelli
104 mijë azilkërkues janë regjistruar vetëm gjatë muajit gusht në Gjermani. Autoritetet gjermane kanë publikuar raportin për këtë muaj ku llogaritet numër rekord azilkërkuesish.
“Thuajse një e treta e të gjithë emigrantëve që kanë arritur në Gjermani, kanë ardhur gjatë muajit gusht”, ka deklaruar ministrja gjermane për Çështje Evropiane, Emila Muller.
Sipas një zëdhënësi, që nga janari deri në gusht të këtij viti në Gjermani janë regjistruar rreth 413,535 azilkërkues, si pas sistemit gjerman “Easy System.”
Reuters njofton se ky sistem është përdorur për regjistrimin fillestar të emigrantëve dhe refugjatëve që vijnë në Gjermani.
Gjermania pret që deri në fund të këtij viti, rreth 800,000 emigrantë të të aplikojnë për azil, i cili tejkalon katër herë shifrat e vitit të kaluar.
Rreth një e treta e regjistrimeve në gusht ishin në Bavari, tha zëdhënësi.
Por në raportin e këtij muaji të publikuar nga agjencia Reuters, ndyshe nga raporti i muajit korrik nuk përmendet Shqipëria dhe azilkërukesit që vijnë nga Ballkani .
Në muajin korrik Ministria e Brendshme në Berlin njoftoi se kishte rritje të kërkesave nga Shqipëria, përkatësisht me 7633 qytetarë.
Në tërësi shifra e kërkesave për azil të muajit korrrik 2015 sipas të dhënave të autoriteteve federale gjermane është 93,2 për qind më e lartë se me të njejtin muaj të vitit 2014.
Në vendin e parë për muajin korrik me kërkesa azili në Gjermani ishte Siria me 9413 kërkesa, kurse Kosova u rendit një vend më poshtë se në qershor, përkatësisht e shtata me 1395 kërkesa për azil.
Nga vendet e Ballkanit Perëndimor u paraqitën 14, 832 kërkesa aplikimi, përkatësisht Bosnje e Hercegovinë, Serbia, Shqipëria, shteti maqedonas, Kosova dhe Mali i Zi.
Zyra Federale për Migracion dhe Refugjatë saktësoi se numri i përgjithshëm i azilkërkimit nga vende të ndryshme, është 37,531 për muajin korrik.
Në periudhën janar-korrik 2015 nga Shqipëria në Gjermani janë paraqitur thuajse 30 mijë kërkesa.
Në muajin mars Shqipëria ishte e treta pas Sirisë (4620) dhe Kosovës (11729) me 3020 kërkesa për azil.
Në muajin prill ishte niveli më i lartë i kërkesave për azil nga Shqipëria me 4794 duke kaluar në vendin e parë dhe lënë Kosovën me 4608 dhe Sirinë me 4461.
Në muajin maj nga Shqipëria që u rendit e dyta pas Sirisë (5100) me 4922 kërkesa për azil duke lënë pas Serbinë (1990).
Në muajin qershor Shqipëria kishte 5932 kërkesa për azil, Kosova zbriti e gjashta me 1581, por Siria mbeti e para me 7.562.
Por pas valës së emigrantëve që hynin kryesisht nga Maqedonia, Serbia dhe Greqia, Ministri i Brendshëm shqiptar Saimir Tahiri theksoi se i është kërkuar Gjermanisë dhe vendeve të tjera të BE-së që të saktësojë numrin e shtetasve të Shqipërisë, por ende nuk kanë marrë përgjigje.
Sipas tij “shifrat e Gjermanisë dhe vendeve të tjera të Bashkimit Europian nuk korrespondojnë kurrkund me shifrat që ka Shqipëria për daljen e shtetasve të Shqipërisë që shkojnë për azilkërkim”.
Evropa po përballet me krizën më të madhe të refugjatëve që nga Lufta e Dytë Botërore, ndërsa ende nuk është gjetur një zgjidhje e përbashkët. Mijëra njerëz nga Lindja e Mesme, Azia dhe Afrika kanë vdekur gjatë udhëtimeve të rrezikshme nga toka dhe deti.
shifrat e mëdha të azilkërkuesve që priten të arrijnë në Gjermani kanë alarmuar qytetet pritëse të tyre, ku kërkojnë më shumë fonde në përballimin e emigrantëve
Kancelarja gjermane Angela Merkel ka bërë thirrje për një shpërndarje të drejtë të azilkërkuesve brenda BE-së dhe ka bërë thirrje kundër racizmit, pas sulmeve pothuajse të përditshme në strehat e azilkërkuesve.
Të martën në mbrëmje, 40 persona u lënduan lehtë, pas shpërthimit në një strehë të refugjatëve, duje shkaktuar probleme të frymëmarrtjes, ndërsa ishte e paqartë nëse sulmi kishte motive raciste.
Në një intervistë me gazetën Die Zeit, Ministri i Brendshëm gjerman Thomas de Maiziere tha se integrimi i refugjatëve të rinj mund të jetë më i vështirë se i grupeve të mëparshme, pasi 20 për qind e tyre mund të jetë analfabetë dhe mund të jetë e vëhstirë për të gjetur punë.
Gjermania është tashmë shtëpia e rreth 4 milionë myslimanëve, kryesisht me prejardhje turke. Shteti gjerman ka punuar gjatë për të integruar popullsinë turke, disa prej të cilëve jetojnë në komunitetet paralele ku turqishtja është gjuha kryesore.
















