Deputetët e Parlamentit Evropian e miratuan të enjten Rezolutën për Srebrenicën, nëpërmjet së cilës dënohet ashpër masakra e forcave serbe ndaj popullsisë boshnjake në rajonin e Srebrenicës.
Në tekstin e rezolutës është përfshirë edhe një amendament që shpreh keqardhje që Këshilli i Sigurimit i Organizatës së Kombeve të Bashkuara nuk arriti ta miratojë një rezolutë të ngjashme, të sponsorizuar nga Brigtania e madhe, për shkak të përdorimit të vetos nga ana e Rusisë.
Gjatë debatit të zhvilluar para votimit në Parlamentin Evropian u drejtuan kritika në adresë të Rusisë për shkak të përdorimit të vetos ndaj projekt-rezolutës britanike.
Në tekstin e Rezolutës dënohet ashpër Masakra e Srebrenicës, e cila cilësohet si gjenocid. Përgjegjëse për këtë masakër konsiderohen forcat e serbëve të Bosnjës, që drejtoheshin nga Ratko Mlladiqi, si edhe grupet paramilitare serbe.
Në versionin final të tesktit të Rezolutës nuk është përfshirë kërkesa e grupit parlamentar të partive popullore evropiane (EPP) që për Masakrën e Serebrenicës të fajësohen edhe forcat policore të Serbisë që kishin shkuar në territorin e Bosnjës e Hercegovinës.
















