Eurodeputeti Eduard Kukan, i cili ndjek nga afër çështje politike në Shqipëri, ka thënë se zgjedhjet vendore të 21 qershorit ishin të rëndësishme për mënyrën sesi shkuan ato.
Në një status në profilin e tij në “Twitter”, Kukan ka theksuar se “Shqipëria ishte në një pozicion të vështirë vitin e kaluar me bojkotin e Kuvendit nga ana e opozitës. – Megjithatë politika shqiptare arriti marrëveshje unanime. Shenjë pozitive për vendin tuaj është edhe pranimi i rezultatit, ndonëse duhet të presim akoma raportin final”, – tha Kukan.
Ndërkohë kreu i Komitetit të Jashtëm në Parlamentin Europian, Elmar Brok, në raportin e tij për zgjedhjet lokale të 21 qershorit në vend, ka folur sërish me tone të ashpra kundër mënyrës si funksionuan ato.
Brok akuzoi qeverinë se sipas tij rezulton se 35% e administratës rezulton se ka qenë nën presion.
“Ka pasur blerje votash dhe kandidatë të inkriminuar. Disa vëzhgues kanë raportuar për manipulime, – tha Brok, – ndërkohë që disa medie u përdorën. Këto zgjedhje janë pak më të mira se të tjerat. Megjithatë le të presim raportin final të OSBE-ODIHR. Zgjedhjet lokale në Shqipëri ishin mjaft të rëndësishme për procesin e integrimit”, – tha Brok.















