Nga Francesco Venturini
Ishte e qartë për të gjithë se sanksionet europiane që iu vunë Rusisë pas aneksimit të Krimesë do të sillnin një kosto ekonomike edhe më të rënduar nga kundërsanksionet e vendosura nga Kremlini.
Ta kujtosh është e dobishme, sepse me intervale të rregullta miqtë tanë amerikanë apo disa miq europianë paraqesin lidhur me këtë dyshime tërësisht të pabazuara. Sidomos tani që sanksionet janë shtyrë deri në janar të vitit tjetër.
Por, nëse ndëshkimi ekonomik që i është vënë Rusisë ka qëllimet e veta të mira pavarësisht nga efekti bumerang që tani po na godet, është e nevojshme të mos e humbasim nga vështrimi atë që është në lojë në ndeshjen gjeopolitike që po zhvillohet në kontinentin europian: janë raketat dhe topat që na e parashtrojnë të ardhmen e afërt, është perspektiva e një rikthimi të plotë të luftës së ftohtë mes Perëndimit dhe Rusisë që paralajmëron për zgjedhje të vështira, që do të ishte absurde t’i reduktonim vetëm me konfliktin ukrainas apo me pasojat ekonomike.
Sanksionet, jo rastësisht, janë konfirmuar deri kur do të zbatohen plotësisht klauzolat e marrëveshjeve të nënshkruara më 12 shkurt në Minsk nga Merkel, Holande, Putin dhe presidenti ukrainas Poroshenko. Vetëm atëherë, sipas kryeqyteteve europiane dhe sipas G7-s, mund të kalohet te një lehtësim apo edhe te një heqje.
Atëherë, në cilën pikë është zbatimi i marrëveshjeve të Minskut që i kushtëzojnë në mënyrë kaq shtrënguese sanksionet dhe çmimin e tyre ekonomik? Pjesa që është e njohur për të gjithë është se armëpushimi mezi po respektohet. Nuk kalon ditë që autoritetet e Kievit të mos ankohen për vrasjen apo plagosjen e ushtarëve në Ukrainën lindore, ku filorusët parapëlqejnë shpesh rrëmujën për të mos i nxitur akuzat perëndimore lidhur me ndihmën ushtarake të marrë nga Moska.
Por kjo është vetëm maja e një akullnaje shpërthyese. Marrëveshjet e Minskut parashikojnë, brenda fundit të vitit, zgjedhje lokale që duhen zhvilluar në Donbass me metoda të pranuara nga Kievi (por Kievi refuzon që të ketë kontakte direkte me “rebelet”).
Parashikojnë mbi të gjitha një reformë kushtetuese ukrainase, e bazuar te decentralizimi dhe e bërë, nën syrin vigjilent të Moskës, për t’iu garantuar rajoneve të Donjetskut dhe të Luganskit një statut të posaçëm tejet autonom. Dhe për sa kohë nuk do të përfundohet dhe nuk do të votohet reforma e Kushtetutës, Kievi nuk mund ta rimarrë kontrollin e 450 kilometrave të kufirit ndërmjet territoreve aktuale rebele dhe Rusisë. Çka më pas do t’u lërë kalim të lirë ndihmave të mundshme ushtarake të dërguara nga Putini.
Do të duhej një optimizëm vërtet i papërmbajtshëm për të besuar se brenda 31 dhjetorit pjesë shumë domethënëse dhe të kundërshtueshme të çështjes do të qasen me mirëbesim dhe do të zgjidhen. Nga ana tjetër, për ata që nuk besojnë te përrallat kronika është tejet e pasur me të dhëna lidhur me udhën e vërtetë të ndërmarrë.
Amerikanët duan të garantojnë polakët, baltikët, rumunët dhe bullgarët. Në zbatim të asaj që u përvijua në takimin e NATO-s në Kardif vitin e kaluar, kanë vendosur të dërgojnë në këto vende pajisje ushtarake dhe të rënda që janë të afta të armatosin, në rast nevoje, pesëmijë njerëz të forcës së reagimit të shpejtë që do të duhet të vrapojnë për të ngritur mur kundër rusëve.
Një lëvizje e çuditshme: pesëmijë njerëz s’mund të bëjnë ndonjë gjë të madhe, dhe më pas a nuk do të mjaftonte neni 5 i Traktatit atlantik (të sulmosh një anëtar është sikurse t’i kesh sulmuar të gjithë, dhe të gjithë reagojnë) për të garantuar ata që kanë arsye historike për t’u ndjerë si në gjemba? Edhe Putini nuk ka qëndruar duarkryq. Ka kohë që ka nisur modernizimi i raketave të tij bërthamore ndërkontinentale Topol-M, por ai ka paralajmëruar se do të ndërtohen 40 të “reja” si përgjigje ndaj Uashingtonit.
Po lëvizin tanket e rënda, po flitet për armë bërthamore, propaganda po kthehet në kërcënim vdekjeprurës dhe terreni i gjithë kësaj është Europa. Moska nuk e përjashton që të vendosë armë bërthamore në Krimenë e aneksuar dhe ka vendosur raketa me përdorim të dyfishtë iskander në Kaliningrad, Konisbergu i lashtë ku dergjet Kanti në varr.
Avionë bombardues dhe patrullues rusë cakisin avionët dhe anijet e NATO-s, dhe rreziku i një incidenti të rastësishëm është aq i lartë, saqë përfaqësuesit e marinës së SHBA-së dhe të asaj ruse u takuan para pak kohësh – në mënyrë të fshehtë – për të shmangur më të keqen. Perëndimorët në dukje janë më pak agresivë, por po afrohen ushtarakisht në kufijtë rusë (pas zgjerimit të NATO-s në të njëjtin drejtim) duke mos marrë më në konsideratë marrëveshjet e heshtura të viteve ’90.
Dhe po përparon projekti i “mburojë anti-balistike” që parashikon vendosjen e raketave mbrojtëse amerikane në Poloni dhe në Rumani, duke krijuar shqetësim të kuptueshëm te rusët e mbetur jetim pa traktatin Abm të ’72-shit që i ndalonte mbrojtjet e tilla dhe që u denoncua në mënyrë të njëanshme nga George W. Bush. Më pas në Britaninë e Madhe është hedhur ideja për të instaluar raketa të reja Cruise, për të baraspeshuar shkeljet e mundshme ruse të Traktatit europian anti-raketë (Inf, e 1987).
Është rikthimi i kësaj dashurie të çuditshme ajo që duan qeveritë europiane? Si ka mundësi që nuk e shohin që sot, me Gjermaninë në krye, se ku po shkojmë? Çfarë kosto sanksionesh?! Nëse fuqitë apo ish-fuqitë duan të jenë të përgjegjshme, Obama dhe Putin duhet të takohen në Nju Jork me rastin e Asamblesë së OKB-së. Dhe të flasin për të ardhmen që duan, duke parë se europianët nuk janë në gjendje ta bëjnë.
Corriere della Sera















