Pritja që Gjirokastra iu ka rezervuar liderëve të majtë ndër vite ka qenë mbreslënëse. Qyteti i lindjes i diktatorit Enver Hoxha, e ka pritur në mënyrë madhështore këtë të fundit, sa herë që rikthehej për të shkelur nëpër sokakët e qytetit të gurtë.
E lidhur fort me të majtën, aq sa në zgjedhjet politike në periudhën e demokracisë ka vazhduar të jetë një bastion për socialistët, Gjirokastra i ka rezervuar një pritje po aq të ngrohtë edhe Edi Ramës dje, me rastin e fushatës për zgjedhjet lokale të 21 qershorit.
“Dilni shihni kush na erdhi, dilni se na erdhi Enveri”, – kumbonte një këngë e bërë enkas nga isopolifonia e Gjirokastrës kur Enver Hoxha u paraqit në vendlindjen e tij diku nga fundi i viteve ’70.
Të vjetër e të rinj dolën rrugicave të qytetit për t’u takuar me udhëheqësin komunist.
“Po hë do thoni ju, ç’u bëre, pse nuk ke ardhur të na takosh më shpesh. Punët e shumta nuk më kanë lënë, por zëmrën e kam patur gjithnjë te ju”, – do t’iu thoshte me retorikën e tij Hoxha pionerëve, anëtarëve të Partisë të Punës dhe “shokëve” të tjerë gjatë vizitës së tij.
Njësoj si për Enverin, edhe Rama u prit nga të rinj e të vjetër nostalgjikë, nga ansambli i valltarëve të Gjirokastrës, e kështu me rradhë.
“Për herë të parë gjirokastritët do të zgjedhin një grua në krye të punëve të shtëpisë së tyre të përbashkë e të madhe, që është sot Bashkia e re e Gjirokastrës; një grua e cila do të jetë amvisa më e mirë që punët të shkojnë edhe më tutje në drejtimin e duhur. Do të jetë një moment historik edhe për fshatin, sepse për herë të parë, familjet që jetojnë në fshat, familjet që jetojnë me tokën dhe me prodhimin do të kenë një derë ku të trokasin, do të kenë një mbështetje për të ecur krah për krah, do të kenë bashkinë dhe kryetaren e re në shërbim”, – u shpreh kryeministri.
Dekori dhe slloganet për të dy liderët, atë komunist dhe të sotmin socialist ka qenë i vendosur me shumë kujdes dhe nën diktimin e politikave të partisë që ndiqnin secili.
Megjithatë, duhet thënë se qenë po gjirokastritët, që me rënien e komunizmit, vrapuan për të shembur bustin e Enver Hoxhës, i cili qëndronte në një pikë të lartë të qytetit, nga ku shihte të gjitha fushat që shtrihen nën Gjirokastër.
Sidoqoftë, nuk duhet mohuar se pak nostalgji dhe trashëgimi nga e kaluara e udhëheqësit komunist iu ka mbetur pasardhësve të Argjirosë.
Rama, ndryshe nga Hoxha, të cilit dikur një nxënëse e vogël iu afrua për t’i recituar një poezi që niste me fjalët “xhaxhi Enver, xhaxhi Enver, dorën në zemër ma vendos, ajo do të thotë një fjalë…”, pati përunjësinë që të ishte ai që të përkulej dhe t’i puthte dorën një vajze të mitur në shenjë respekti.
Pra populizëm me aktorë, forma dhe regjime të ndryshme.




























