Kryetari i LSDM-së, Zoran Zaev, ka deklaruar se shtatë shqiptarët e dënuar për rastin e vrasjes së pesëfishtë në Smilkovc të Shkupit, i njohur si rasti “Monstra”, janë të pafajshëm.
Lideri i opozitës maqedonase, në një intervistë për gazetën gjermane “Die Zeit”, ka deklaruar se shtatë shqiptarët po qëndrojnë në burg pafajsisht, transmeton Ina.
Sipas tij, me publikimin e materialeve të përgjimeve lidhur me këtë rast mund të shkaktojë trazira në Maqedoni, prandaj po kërkohen mënyra për të evituat këtë.
“Mund të ketë viktima. Andaj momentalisht po zhvillojmë bisedime intensive me shqiptarët, për të gjetur mënyra për parandalimin e një reagimi të tillë. Duhet të jemi të kujdesshëm me të vërtetën”, ka deklaruar Zaev.
Ai ka thënë se nuk pret dorëheqjen e kryeministrit Nikola Gruevski, por ka theksuar se “një qeveri kalimtare do të mundësonte largimin e tij me dinjite”.















