Në sheshin kryesor të Vienës ku ishte organizuar një projeksion i hapur, i asaj çfarë po ndodhte brenda sallës Wiener StadHalle, ka ndodhur diçka e papritur.
Sipas agjencisë së lajmeve serbe “Tanjug” transmeton “Lapsi.al” një shqiptar ka provokuar në momentin e kur në skenën e Eurovision do të ngjitej përfaqësuesja e Serbisë.
Personi është ngjitur në skenën nga ku po ndiqej live në shesh ngjarja e muzikës europiane dhe ka valëvitur flamurin e Shqipërisë së Madhe. I njëjtë me atë që zbriti me dron, e shkaktoi trazira në stadiumin e Beogradit në ndeshjen mes Serbisë e Shqipërisë.
Agjencia serbe e lajmeve “Tanjug” shkruan se ngjarja e bukur u prish për pak momente nga një shqiptar i cili u ngjit në skenën ku ndodhej ekrani i madh.
“Gjatë kohës kur në skenë po dilte përfaqësuesja e Serbisë, filluan të valëviteshin flamujt e Shqipërisë, Kosovës dhe Shqipërisë së Madhe, por pas ndërhyrjes së sigurimit ata janë larguar” – shkruan ‘Tanjug’.
Kujtojmë se në votim, Shqipëria i dha këngëtares serbe 2 pikë, ndërsa Serbia nuk na ktheu mbrapsht asnjë pikë.















