Ka përfunduar pa marrëveshje takimi tre-orësh i liderëve të katër partive kryesore në Maqedoni ,Nikolla Gruevskit të VMRO-DPMNE-së, Zoran Zaev të LSDM-së, Ali Ahmeti të BDI-së dhe Menduh Thaçit të PDSH-së, të cilët kanë diskutuar për gjetjen e zgjidhjes për dalje nga kriza politike që e ka përfshirë Maqedoninë.
Lideri I opozitës maqedonase, Zoran Zaev, ka bërë të ditur se në takim është arritur vetëm një marrëveshje – që liderët e partive politike të takohen përsëri më 26 maj.
“Është e dukshme se përparim nuk ka, por së paku e caktuam edhe një takim me 26 maj” ka deklaruar Zaev.
Ai ka bërë tëditur se me kryeministrin NikollaGruevski do të takohet edhe gjatë ditës së nesërme (e martë) në Strazburg , ku mund të krijohet hapësirë për propozime të reja, madje edhe nga përfaqësuesit e Parlamentit Evropian.
LSDM vazhdon të kërkojë me ngulm dorëheqjen e qeverisë dhe krijimin e një qeveriekalimtare, pa Nikolla Gruevskin, derisa të gjendet zgjidhje për tejkalimin e krizës.
Edhe në takimin e sotëm të liderëve politikë të Maqedonisë kanë marrë pjesë ambasadorët e SHBA-së dhe të BE-së, Xhems Bejli dhe Aivo Orav.
















