Kryeministri Edi Rama priti sot zëvendëskryeministrin e Kosovës, Hashim Thaçi dhe disa familjarë të heroit Isa Boletini.
Rama konfirmoi se data e caktuar për ritualin kombëtar për të përcjellë eshtrat e heroit të Pavarësisë mbetet 10 qershor.
Trupi i tij do vendoset në një mjet dhe do udhëtojë nëpër trojet shqiptare.
“Ceremonia do të përmbyllet në Sheshin e Pavarësisë dhe Isa Boletini do të prehet pranë Ismail Qemalit,” tha Rama, duke premtuar se pranë tyre do jenë të tjerë luftëtarë për Pavarësinë e Shqipërisë.
Por pse nuk u varros Isa Boletini në Kosovë?
Gazeta Koha Ditore thotë se ky vendim u mor për shkak të frikës nga pasigiria në fshatin Boletin.
Pavarësisht vendimit dhe investimeve që rivarrimi të bëhet në fshatin Boletin, Qeveria e Kosovës, bashkë me atë të Shqipërisë, kanë rënë dakord që mbetjet mortore të Isa Boletinit përfundimisht të rivarrosen në Vlorë.
Propozimi i Qeverisë së Kosovës është miratuar të mërkurën me shumicë votash në mbledhjen e Këshillit Organizativ për ceremoninë e rivarrosjes së eshtrave të Isa Boletinit. Propozimin për Vlorën e ka dhënë zëvendëskryeministri Hashim Thaçi, njëherësh ministër i Jashtëm.
Sipas pjesëmarrësve në mbledhje, ai ka thënë se eshtrat e Heroit Kombëtar do të prehen atje përkohësisht.
Por kundërshtimet dhe përplasjet kanë filluar ende pa përfunduar mbledhja e Këshillit.
Kryetari i Komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri, në shenjë revolte braktisi mbledhjen.
Por ai nuk ka qenë i vetmi brenda këtij organi që ka votuar kundër.
Të njëjtën gjë ka bërë edhe Faton Peci, këshilltar i ministrit të Kulturës, Kujtim Shala.
Reagimet nuk kanë përfunduar me kaq.
Komuna e Mitrovicës ka njoftuar se të premten e kësaj jave do të mbahet një mbledhje e jashtëzakonshme e Kuvendit Komunal, ku pikë e rendit të ditës do të jetë vendimi i Këshillit Organizativ për ceremoninë e rivarrimit të eshtrave të Isa Boletinit.















