Mbetjet mortore të Heroit Kombëtar, Isa Boletini, nuk do të rivarrosen në Kosovë. Krejt kjo shkaku i frikës nga pasiguria në fshatin Boletin në Veri të Mitrovicës, shkruan sot Koha Ditore.
Pavarësisht vendimit dhe investimeve që rivarrimi të bëhet në fshatin Boletin, Qeveria e Kosovës bashkë me atë të Shqipërisë janë marrë vesh që mbetjet mortore të Isa Boletinit përfundimisht të rivarrosen në Vlorë.
Propozimi i Qeverisë së Kosovës të mërkurën është miratuar me shumicë votash në mbledhjen e Këshillit organizativ për ceremoninë e rivarrosjes së eshtrave të Isa Boletinit. Propozimin për Vlorën e ka dhënë zëvendëskryeministri Hashim Thaçi, njëherësh ministër i Jashtëm.
Sipas pjesëmarrësve në mbledhje, ai ka thënë se eshtrat e Heroit Kombëtar do të prehen atje përkohësisht.
Por kundërshtimet dhe përplasjet kanë filluar ende pa përfunduar mbledhja e Këshillit. Kryetari i Komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri, në shenjë revolte e ka lëshuar mbledhjen. Por ai nuk ka qenë i vetmi brenda këtij organi që ka votuar kundër. Të njëjtën gjë e ka bërë edhe Faton Peci, këshilltar i ministrit të Kulturës, Kujtim Shala.
Reagimet nuk kanë përfunduar me kaq. Komuna e Mitrovicës ka njoftuar se të premten e kësaj jave do të mbahet një mbledhje e jashtëzakonshme e Kuvendit Komunal, ku pikë e rendit të ditës do të jetë vendimi i Këshillit organizativ për organizimin e ceremonisë së rivarrimit të eshtrave të Isa Boletinit, përcjell koha.net. Këshilli përbëhet nga një anëtar i familjes Boletini, ministri i Forcës i Sigurisë të Kosovës, si kryesues, një përfaqësues i Ministrisë së Kulturës, një përfaqësuesi i Zyrës së kryeministrit, një përfaqësuesi i Ministrisë së Punëve të Jashtme, një i Ministrisë së Punëve të Brendshme, një i Komunës së Mitrovicës, një përfaqësues i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës dhe një nga Instituti i Historisë. Qe themeluar në nëntor të vitit të kaluar nga asokohe kryeministri Thaçi, kur për ceremoninë u ndanë 50 mijë euro.















