Agim Muhaxheri
Ëndrra e kryepolices Jankulovska, e cila i quajti shqiptarët “indianë, fis i egër”, u bë realitet. Shefi i saj, Gruevski, urdhëroi që të shtypen shqiptarët në Kumanovë sipas asaj: “Gjuaj, teste e ke, të gjithë janë shqiptarë…”. Ky diktator nuk çau kokën, brenda hekurave i çoi “terroristët” e vegjël, fëmijët të moshës 3, 5, 8 vjeç! Nuk ndien ai pse vret edhe të drejtën ndërkombëtare. Regjimit të tij të egër, pas furtunës dyditëshe, i bie shuplakë NATO. Papagajtë e Beogradit i fryjnë zjarrit, e bëjnë propagandën e luftës
Pas furtunës, luftës me shqiptarët, regjimi i diktatorit Nikola Gruevski i bën llogaritë e veta. Merret me numra, statistika të të vrarëve, të plagosurve dhe të arrestuarve.
Mediat tona transmetuan lajmin se në luftimet në Kumanovë janë vrarë 22 persona, 8 prej të cilëve policë, dy janë shqiptarë, njëri serb.
Me “statistikën” e atyre që e pësuan merret ministrja e tij, shovinistja Gordana Jankulovska, ëndrra e së cilës u bë realitet, ngase ditë më parë shqiptarët i kishte quajtur “indianë, fis i egër”.
Mbeti shëmtia në “Lagjes e Trimave”. Shtëpitë e shndërruara në gërmadha. Banorët e këtushëm shprehën pezmin: “Këtë e kemi dhuratë prej Gruevskit dhe Ali Ahmetit…”.
Gruevski e kompania e tij ishin të zënë në zyrat e tyre. Ndërkaq, rivali, opozitari Zoran Zaev i LSDM-së, të hënën (11 maj), doli të shëtis në pazarin e Kumanovës për të llafosur me qytetarët.
Gjykatësit u treguan “ekspeditivë”. Personave, gjithsej 30, ua caktuan paraburgimin prej 30 ditësh. Njoftohet se 18 sish janë shtetas të Kosovës, ndërsa njëri është shtetas i Shqipërisë.
Zëdhënësi i kryepolices Jankulovska, Ivo Kotevski, u krekos për “bilancin” pozitiv, numrin e të vrarëve, të plagosurve dhe të arrestuarve. Tipi Kotevski nuk e zuri në gojë sa fëmijë shqiptarë janë çuar brenda hekurave.
Dy ditë pas luftimeve tokë – ajër, e hëna (11 maji) për banorët e “Lagjes së Trimave” në Kumanovë u gdhi me ndërprerjen e ujit dhe rrymës elektrike. Një numër i banorëve i braktisën shtëpitë. Gazetat maqedonase bëjnë politikën e bashkëjetesës. I gjejnë personazhet, i nxjerrin në pah rrëfimet e tyre, sipas asaj: ”Shqiptarët e maqedonasit janë komshi të mirë…”.
A po përshkallëzohet lufta në pjesët tjera të Maqedonisë? Në malësinë e Tetovës, të hënën (11 maj) janë vërejtur forca të shtuara të policisë dhe fluturimi i helikopterëve.
Pas furtunës, burrështetas të huaj, diplomatë, por edhe përfaqësuesit e NATO-s shprehin keqardhjen për jetët e të vrarëve. NATO-ja i bie shuplakë qeverisë maqedonase, tërhoqi vërejtjen për përdorimin e fjalës “terrorist”. “Shpreh ngushëllimet e mia për familjet e atyre që u vranë apo u plagosën”, ka deklaruar sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, ish-kryeministri norvegjez.
Gruevskit i bie shuplakë homologu i tij bullgar, Bojko Borisov, i cili kërkoi nga ai të japë dorëheqje.
Diktatorët, siç është Gruevski, nuk japin dorëheqje, as që u shkon në mendje ta bëjnë këtë.
Dy ofensivat e regjimit të Gruevskit, në Goshnicë e Malinë ishin “zhurnali”, ndërsa kupa u mbush me hedhjen e granatave, breshërinë e plumbave mbi “Lagjen e Trimave”, sipas asaj: “Gjuaj, e ke teste, të gjithë janë shqiptarë…”.
I kishin ndarë detyrat. Vëllai i vogël, maqedonasi të hedhë granata mbi shqiptarët, ndërsa vëllai i madh, serbi ta bëjë propagandën e luftës. Filarmonia serbo-maqedonase doli edhe kësaj radhe në pah.
“Makedoncat” vërsulen mbi popullin shumicë në Maqedoni, shqiptarët. Nuk ndiejnë se mund t’u dalë punë me 7 milionë shqiptarë.
Ligjet maqedonase nuk vlejnë “erga omnes”, njësoj për të gjithë. Paragrafët e Kodit Penal i kapin vetëm shqiptarët, të cilëve ua veshin akuzën për terrorizëm, i quajnë “terroristë”, prishës të rendit, destabilizues të shtetit. “Njerëzit e ligjit”, hetuesit e policisë, prokurorët veprojnë sipas formulave serbe. Shqiptarëve ua veshin akuzën e terroristit. Gjykatësit e bëjnë aminin!
Gruevski urdhëroi që të shtypen shqiptarët në Kumanovë sipas asaj: “Gjuaj, teste e ke, të gjithë janë shqiptarë…”. Ky diktator nuk çau kokën, brenda hekurave i çoi “terroristët” e vegjël, fëmijët e moshës 3, 5, 8 vjeç!
Brenda hekurave i çojnë të dyshuarit për terrorizëm, ndër ta plakat, gratë dhe fëmijët. “Te vendi” i çuan anëtarët e familjeve Seferi, Sulejmani, Abazi… E burgosën Xhemile Seferin, plakën 80-vjeçare. Nuk i kursyen as fëmijët e familjes Seferi, dy motrat dhe vëllain e tyre, Yllzën 3 vjeç, Dafinën 11 dhe Arifin 16 vjeç. Në ishullin e Djallit i dërguan fëmijët e familjes Abazi, Valonin 5 vjeç, Valmirin 8 dhe nënën e tyre Lumnijen, 45-vjeçare.
Cili shtet normal i burgos fëmijët?
Zotërinjtë maqedonas arsyetohen se po i zbatojnë ligjet e shtetit. E çojnë në vend drejtësinë e tyre. Bën të dërgohet brenda grilave fëmija 3 vjeç.
Nuk kanë dert pse e vrasin jo vetëm drejtësinë e shtetit, por edhe atë ndërkombëtare.
Në asnjë shtet normal, me sistem të mirëfilltë juridik, nuk ndodh që të arrestohet fëmija. Ndodh kjo vetëm me sistemin juridik të Maqedonisë!
Serbia i fryn zjarrit. Në portalin serb “Telegraf.rs.” publikohet një fotografi e ish-luftëtarëve të UÇPMB-së, të cilët tipizohen si “terroristë”, përgjegjës për incidentin e armatosur në Kumanovë. Në këtë foto paraqitet dëshmori i UÇPMB-së, Ridvan Qazimi, Komandant “Lleshi”, pjesëtarë të këtij formacioni të shpërbërë e që janë amnistuar nga Serbia, ndërsa në mesin e tyre është edhe ish-kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar, Galip Beqiri, si dhe karateisti nga Maqedonia, Enver Idrizi.
Sipas portalit “Telegraf.rs”, quhet “terrorist” karateisti me nam Enver Idrizi.
Do të nisemi në Maqedoni! Ky ishte kërcënimi i çetnikut serb Bratislav Zhivkoviq, i cili udhëhoqi vullnetarët çetnikë në Krime dhe në shtetin federal Novorossiya. Ai paralajmëroi ardhjen e tij në Maqedoni.
Ajo çfarë po ngjet në Maqedoni i shkon për shtati Serbisë. Shtypi serb i fryn zjarrit. Dy gazetat “Kurir” e “Informer” në ballinat e tyre nxjerrin titujt bombastikë, “Lufta e vërtetë fillon më 12 maj” (sot – vërejtja ime) dhe “Rat u rezhiji Amerike” (Lufta me regji të Amerikës).
Serbët kanë aversion ndaj SHBA-së.
Vera e sivjetme është “e nxehtë”. Shumë punë do të kenë politikanët, por edhe “njerëzit e ligjit”. Do të përfitojnë edhe avokatët.
Avokatët përfitojnë kur ka “lluga” të mëdha në shtet.
Do të jetë fundi i diktatorit Gruevski, apo jo? Kjo pritet të shihet kur ujërat e turbullta të kthjellohen.
















