Kryeministri serb Aleksandër Vuçiç paralajmëron se trazirat në Maqedoni mund të përhapen në vende të tjera të Ballkanit. Në një intervistë për Euronews ai tha se Serbia po bën gjithçka mundet për ta ndihmuar Maqedoninë për ta kapërcyer këtë situatë.
“Ne do të bëjmë gjithçka mundemi për t’i ndihmuar ata për të kapërcyer këto pengesa, për të krijuar një mjedis të qëndrueshëm për vendin e tyre dhe për çdo gjë tjetër që ata mendojnë se është e dobishme. Sepse kjo është çështja më e rëndësishme për të gjithë ne. Sepse, nëse do të kemi trazira në Maqedoni, ato mund të përhapen lehtësisht në vende të tjera të Ballkanit Perëndimor” u shpreh ai.
Edhe Kombet e Bashkuara kanë shprehur shqetësim për situatën e ndodhur në Kumanovë. Një ditë më parë grupe të ndryshme etnike u mblodhën për të përkujtuar viktimat e përplasjes së armatosur. 8 policë dhe 14 persona të tjerë, identiteti i të cilëve nuk dihet, u vranë nga luftimet. 30 janë arrestuar nën akuzën për terrorizëm dhe kërcënim të rendit kushtetues. Më shumë se gjysma e tyre janë nga Kosova, thotë qeveria maqedonase, por pa shpjeguar arsyet e sulmit. Ato vazhdojnë të mbeten të paqarta, thekson Euronews.















