Qytetarët e Maqedonisë kanë postuar sërish ditën e sotme kundër qeverisë së Nikolla Gruevskit duke kërkuar largimin e kryeministrit dhe bashkëpunëtorëve të tij nga pushteti.
Protesta u zhvillua para godinës së Parlamentit në Shkup, meqë forcat e shumta të policisë nuk i lejuan demonstruesit të protestojnë para selisë së qeverisë dhe ndërtesës së Prokurorisë Publike.
“Protestoj kundër të gjitha padrejtësive në shtet. Protestoj dhe kërkoj largimin e njerëzve që e drejtojnë shtetin në mënyrë jo të sinqertë. Unë bëj pjesë në kategorinë e qytetarëve që duan drejtësi”, shprehet një protestues.
“Protestoj për të kërkuar demokraci dhe liri. I mbështes të gjithë këta të rinj që kanë dalë këtu për të kërkuar drejtësi, paqe dhe liri”- shton një tjetër.
Protestës i ka paraprirë publikimi i bisedave të përgjuara të zyrtarëve qeveritarë lidhur me vdekjen e gazetarit Nikolla Mlladenov. Mllëfin e protestuesve e kanë shtuar akoma më tepër akuzat e opozitës në adresë të policisë për fshehjen e dëshmive të shumta në procesin hetimor për vdekjen e gazetarit të njohur maqedonas.
















