Afrim Spahiu, fotografinë artistike ka mote e mote që e kultivon me shkathtësi, arterie zemre dhe dridhje shpirtërore. Gjatë rrugëtimit të tij, duke e respektuar “alfabetin” e syrit magjik dhe duke i përcjellë me kujdes të veçantë formësimet zgjedhore reale dhe ato të sajuara, ai e ka perceptuar me mjeshtëri lëvizjen dhe statiken strukturale të arkitekturës. Në pikat qendrore, ku ai me objektivin e tij ka kapur boshtet kryesore, hapësirën e vërtetë dhe atë të imagjinuar, e ka dhënë në shpjegim shëmbëlltyrën e shpirtit të gjeometrisë, thellësinë e horizontit dhe kompozicionin “optik”.
Në çdo foto artistike të tij shihen objektet që e reflektojnë një ndjenjë besimi dhe një “humnerë” drite, të shfaqur me kënde dhe gjysmëkënde, dritare me ritme lakore e suksesive kah qielli, fasada me harmoni me kontraste kromatike dhe akromatike. Kështu, në observimin tonë, duket se po jeton dhe po rritet metafora e simbolikës urbane e hapur si dritare e shpirtit. Afrimi i ka zgjedhur ato format e arkitekturës të cilat i japin kuptim qetësisë së brendshme dhe dinamikës së jashtme. Me qetësinë, ai e ka paraqitur folenë e banimit, ndërsa me lëvizjen e jashtme dinamikën dhe përjetësinë.
Në fotot e tij shohim edhe tri dimensione tjera artistike, dritëhijen e pjesëtuar me kohën dhe hapësirën, drejtpeshimin e formave përkatëse dhe segmentet e shumëzuara vertikale.
Nuk duhet harruar se ndërtesat e prekura me syrin e qelqit janë përditshmëri, janë nostalgji e hapësirës dhe janë emocione të përziera në mes reales dhe magjisë.
Harmonia e ngjyrave na del e deshifruar që nga pika e fillimit dhe përfundon si thurje e lehtë në tërë sipërfaqen e fotografive. Ndërsa kontrasti i formave dhe i ngjyrave sajohen si antrakte artikulimi në mes objektit dhe horizontit. Pikat bashkuese ndihen kur reflekset i gjallëron e bardha dhe e zeza, format reale me ato abstrakte të ndërtimeve në sheshin logjik dhe në planin perspektiv, me ngjyra të ngrohta dhe në raste të veçanta me ngjyra të ftohta dhe neutrale.
Thënë më qartë, A. Spahiu i do trajtat e bukura të natyrës, të cilat i ka kthyer me mjeshtëri në trajta artistike duke synuar në ndjenjën e së bukurës. Pohimi se “arkitektura është muzikë e ngrirë” në fotot e Spahiut shndërrohet në tinguj të shkrirë.
Afrim Spahiu u lind më 3 maj 1951 në Dibër të Madhe. Shkollën fillore dhe atë të mesme i kreu në vendlindje. Njohuritë profesionale i kompletoi në Akademinë për Teatër, Film dhe Televizion, si edhe në Universitetin e Zagrebit, në studion e profesorit Nikola Tanhofer.
Prej vitit 1975 e ka ushtruar profesionin e tij duke punuar në disa institucione të Kosovës, kameraman në Radiotelevizionin e Prishtinës, drejtor i fotografisë në “Kosovafilm”, profesor në Fakultetin e Arteve në Prishtinë, Fakultetin Shtetëror të Tetovës dhe në Kolegjin AAB në Prishtinë.
Spahiu ka qenë autor i shumë projekteve të fotografisë artistike, filmave dokumentarë dhe atyre artistikë, ku ka marrë disa shpërblime kombëtare dhe ndërkombëtare. Ka marrë pjesë në disa ekspozita të përbashkëta në vend dhe jashtë. Ka pasur ekspozita personale në Dibër, Pejë, Novi Sad, Lubjanë, Sarajevë dhe Prishtinë. Afrimi jeton dhe punon në Prishtinë.




















