Për deputetin Ben Blushi, Parlamenti është një nga arsyet që shqiptarët po largohen nga vendi, pasi po qeverisen shumë keq. Si shenjë këmbane, Blushiparalajmëroi se Shqipëria është përballë një emergjence kombëtare, pasi në 25 vite është larguar 1/3 e popullsisë.
“Pse ikin shqiptarët më shumë se serbët, se maqedonasit? Në 25 vjet kemi humbur 1/3 e popullsisë. Më gjeni një vend tjetër në këto shifra?
Ka vetëm një arsye, qeverisemi shumë keq. 1 milion banorë kanë ikur vetëm për një arsye; jetojnë keq. Po diskriminojmë të varfërit! Kjo është arsyeja që po ikin. Asnjë luftë nuk e tret një popull siç është tretur Shqipëria në 30 vjet.
Nëse vazhdon kjo situatë, ka mundësi që Shqipëria për 3-4 dekada të përgjysmohet, për fat të keq! Kjo është e padrejtë!”, tha Blushi.
“Nuk na vlen një i varfër apo një i papunë që ikën. Kjo është një emergjencë kombëtare, sepse Shqipëria po përgjysmohet, nuk ka asnjë popull që ka humbur kaq shumë popullsi në kaq shumë vjet”, deklaroi deputeti.
“Por si bëhet kjo? Nuk e di si bëhet, por duhet solidaritet. Pesimizmi po largon shqiptarët. Ndalohet duke bërë shoqërinë më të drejtë që nuk i jep arsye atij të varfëri për t’u larguar”, u shpreh më tej ai.
















