Gëzim Nexhmedin Ilazi, me rrënjë nga Komogllava e Ferizajit do të garojë më 19 prill të këtij viti për pozitën e këshilltarit komunal në Vernier të Gjenevës. Ky djalosh vetëm 21 vjeçar hyn në jetën politike të këtij vendi mjaft i përgatitur.
Ai bënë pjesë në radhën e studentëve të dalluar të Universitetit shtetëror të Gjenevës. Krahas studimeve në fushën e Drejtësisë, Gëzimi, pasion e ka edhe të marrurit me politikë. Për dallim nga rivalët e tij politikë ai ka një bagazh goxha të mirë në këtë fushë, ngase është pjesëmarrës në shumë debate e forume rinore të organizuara në komunën Vernier dhe jashtë saj.
Gëzimi falë punës së palodhshme dhe sistematike në qershorin e sivjetmë do t’i përfundojë studimet e nivelit Bachelor, në fushën e Drejtësisë për të vazhduar menjëherë me ato të shkallës Master.
Ndërkaq dëshirën e kahershme për të qenë aktivë në politikë beson se do ta realizojë nëpërmjet Partisë Socialiste të Gjenevës-Dega Vernier, nga e cila edhe është i nominuar për pozitën e asamblistit. Udhëheqësit e kësaj Partie duke njohur kapacitetet organizative dhe intelektuale të Gëzimit, atë e kanë vendosur si prijatar të listës së qytetit Vernier. Po ashtu elektorati i kësaj Partie dhe militantët e saj janë tejet optimistë se Gëzimi me reputacionin e tij të panjollë do të shënojë fitore bindëse në këto zgjedhje. Ngjashëm mendon edhe vetë Gëzimi i cili kësaj gare do t’i qaset pa zhurmë e publicitet. Ai në pamje i butë dhe jashtëzakonisht miqësor është nga ata njerëz që mund të sjellë përmirësime të dukshme në të gjitha nivelet. Në momentin kur ta krijojë lidhjen e drejtpërdrejtë me Kuvendin e Bashkisë së këtij qyteti me aftësi e guxim ai do t’i denoncojë dhe do t’i luftojë të gjitha parregullsitë dhe situatat problematike të cilësuara si të dëmshme për qytetarinë.
Mjafton që Gëzimin ta takosh vetëm njëherë dhe të kuptosh se ai posedon pjekuri të duhur politike, dhe si i tillë parezervë di ta mbrojë besimin e votuesve. Një nga virtytet që e bëjnë akoma më të dashur e të dëshiruar nga gjithsecili janë: ndershmëria, respekti dhe mirësjellja. Këto cilësi që janë për t’u admiruar ai i shfaq kudo. Këtë edukatë të fituar nga familja e ka lëruar dhe përsosur edhe nga studimi i shumë materialeve me përmbajtje edukative. Këto dije të fituara Gëzimi po i zbaton vendosmërisht dhe me urtësi, duke dhënë kontribut të çmuar në shumë fusha.
Qysh si fëmijë spikati me talentin e tij të rrallë në vallëzim dhe në art skenik. Këtë dukuri të lindur Gëzimi po e manifeston edhe sot me plot sukses në Ansamblin e Këngëve dhe të Valleve “GËZUAR” të Gjenevës. Ai dhe motra e tij Kaltërina,studente e vitit të tretë të Fakultetit të Mjekësisë,këtu në Gjenevë, konsiderohen si kryeprotagonistë të Ansamblit”GËZUAR”. Ndërkaq njohurit teorike të fituara në legjislacion dhe jurisprudencë Gëzimi po i praktikon duke kryer vullnetarisht funksionin e sekretarit në Lidhjen e Arsimtarëve dhe Prindërve Shqiptarë” Naim Frashëri” të Gjenevës.
Që nga ardhja e tij në këtë pozitë organizimi administrativë ka shënuar reformim të përgjithshëm dhe është vënë në rrugë të stabilizimit dhe të përsosjes së mëtutjeshme. Këtë e vërteton edhe hartimi me përpikëri e profesionalizëm i projekteve dhe programeve të shumta ndërkulturore, me të cilat synohet bashkëpunimi i ndërsjellë dhe njohja me kulturat e të gjitha komuniteteve që jetojnë dhe veprojnë në kantonin e Gjenevës.
Kjo ndihmë dhe përkrahje e pakursyer nga ana e këtij të riu në formim e sipër aq sa na bënë krenar aq edhe na obligon që më 19 prill të këtij viti mos të qëndrojmë indiferent por t’i themi – PO – kësaj kandidature të qëlluar e plotësisht të besueshme e cila vije në kohën më të përshtatshme. Me realizimin e kësaj aspirate më së tepërmi fiton qytetari dhe Asambleja e qytetit Vernier, pastaj edhe vetë Gëzimi parimor e me prirje për ndryshime pozitive në favor të qytetarëve.
Ai më përvojën e fituar dhe me vizon e tij krejtësisht të qartë do t’i hap vetes udhë për të konkurruar në një të ardhme jo të largët edhe në organet ekzekutive të Kantonit të Gjenevës, e mbase edhe në ato të Konfederatës zvicerane.
ARIF EJUPI















