Qindra mbështetës të Partisë Radikale Serbe, në Beograd, ua kanë vënë flakën flamujve të NATO-s, BE-së, SHBA-ve dhe Kosovës, në një tubim të organizuar me rastin e 16 vjetorit tëe fillimit të bombardimeve të NATO-s kundër forcave serbe në Kosovë dhe Serbi.
Turmës së egërsuar i është drejtuar lideri i radikalëve, Vojisllav Sheshel, i cili e ka cilësuar ndërhyrjen e NATO-s si agresion ndaj Serbisë.
“Kemi dashur që me këtë tubim, ta shënojmë simbolikisht fillimin e agresionit, por regjimi këtë tubim e ka ndaluar”, ka thënë Sheshel.
Ai ka thënë se Partia Radikale e Serbisë “kurrë nuk do të pajtohet me pavarësinë e imagjinuar të Kosovës”.
Lideri i radikalëve, ka thënë gjithashtu se Serbia nuk guxon të bëhet as anëtare e NATO-s dhe as e Bashkimit Evropian, ndërsa qeverinë aktuale të Serbisë, të udhëhequr nga ish-bashkëpartiaku i tij, Aleksandar Vuçiq, e ka akuzuar se “po punon për këtë”.
Shesheli e ka cilësuar qeverinë aktuale të Serbisë si “regjim tradhëtar të Aleksadar Vuçiqit”, raporton Radio Evropa e Lirë.















