Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga në kuadër të Javës së Gruas ka thënë se procesi i gjithëmbarshëm i zhvillimit varet edhe prej rolit të gruas.
Ajo tha se gruaja është gjysma e trurit të shoqërisë, gjysma e përpjekjeve dhe gjysma e mundësive. “Krenohemi me të arriturat e gruas. Gruaja është gjysma e trurit të shoqërisë gjysma e përpjekjeve dhe gjysma e mundësive. Duhet të punohet më shumë në jetësimin e një qasjeje të plotë në institucionet e drejtësisë në punë dhe shkollim”, ka thënë Jahjaga.
Ajo foli edhe për rolin e gruas në Kosovë në periudhën para dhe pas luftës. Ajo tha se gruaja, gjatë periudhës së luftës në Kosovë ka qenë viktimë e dhunës, represionit dhe përdhunimit, të cilën periudhë e ka mbijetuar dhe sot gruaja është simbol i paqes dhe pajtimit dhe një forcë shtytëse e ndryshimeve dhe zhvillimit në shoqëri.
“Themel i shoqërisë është gruaja – sepse siguria e saj nënkupton siguri për fëmijët, siguri për familjen dhe siguri për shoqërinë në përgjithësi”, tha ajo.
Duke folur rolin e gruas presidentja kosovare tha se gratë janë më efikase dhe më të suksesshme si udhëheqëse dhe janë dëshmuar si vendimmarrëse të afta. “Një nga këto tipare, sikundër e tha mbrëmë edhe ish-sekretarja amerikane e shtetit Madeleine Albright, është se gruaja është dëgjuese më e vëmendshme, por ajo ka edhe aftësi më të mëdha interpersonale. Ato shumë më lehtë përballen me situatat e krizave dhe janë dëshmuar të jenë më të përgjegjshme dhe më llogaridhënëse”, tha Jahjaga.
















