Nga Holtjana Bello
Në praktikat e vendeve të zhvilluara, universitetet janë orientuesi dhe aktorë aktivë në ecurinë e zhvillimit profesional të audituesve të brendshëm. Universitetet ofrojnë programe akademike që ndihmojnë në krijimin e profesionistëve, audituesve të brendshëm të karrierës, si dhe ofrojnë programe të shkëmbimit të përvojës me sektorin publik. Janë pra pikërisht auditorët universitarë, gjeneza dhe rritja e këtij profesioni esencial për transparencën e institucioneve në menaxhimin e fondeve publike në raport me publikun, median dhe shoqërinë civile.
Si një strukturë bazë për drejtoritë e buxhetit ose financave në çdo ministri apo dikaster tjetër, sektori i auditimit të brendshëm ka zanafillë të hershme në historinë e institucioneve tona. Me rrëzimin e sistemit totalitar, ngritja e sektorëve të auditimit të brendshëm i është nënshtruar në vijimësi forcimit të kapaciteteve dhe përshtatjes së programeve dhe teknologjive të reja. Në Shqipëri ka filluar një orientim i ri cilësi dhe përmbajtje i audituesve të brendshëm në përputhje me standardet ndërkombëtare të auditimit të brendshëm dhe në frymën e evropianizimit të Shqipërisë si vend Kandidat i BE-se.
Këtë përshtatje standardesh dhe forcim ekspertize mund ta mbështesin edhe universitetet me lektrimin dhe debatin në shinat e dijes akademike. Vende të tilla si Britania e Madhe njohin një bashkëpunim të ngushtë të universiteteve, qendrave të trajnimit dhe Forumit të profesionisteve në auditimin e brendshëm[1] duke pranuar dhe njohur transferimin e krediteve për lëndët që lidhen me auditimin e brendshëm. Në gjurmët e kësaj praktike dhe me shpresën e një bashkëpunimi të ngushtë me Njësinë Qendrore të Harmonizimit të Auditimit të Brendshëm në UET është i ngritur tashmë UET Consulting, vektori i shërbimeve të forcimit, këshillimit të kapaciteteve në sektorin publik dhe privat edhe në fushën e auditimit të brendshëm.
UET Consulting vjen si një risi ofruesi trajnimesh, për profesionistët e auditimit të brendshëm, edhe për faktin se në Shqipëri sistemi ynë arsimor nuk ofron programe të posaçme për të rritur dhe përshtatur sipas praktikave më të mira botërore, aftësitë e audituesve. Edhe pse disa universitete ofrojnë module të auditimit kryesisht si pjesë e programeve Master, ky shkollim mbetet i cunguar me kërkesat e kohës dhe zhvillimit teknologjik.
Trajnimet për auditimin e brendshëm në sektorin publik në Shqipëri ofrohen vetëm nga Njësia Qendrore e Harmonizimit për Auditimin e Brendshëm pranë Ministrisë së Financave. Këto trajnime shërbejnë për të lehtësuar marrjen e certifikatave të kualifikimit profesional të audituesve të brendshëm në sektorin publik, i quajtur “Auditues i Brendshëm i Certifikuar”.
Megjithatë, organizata SIGMA (Support for Improvement in Governance and Management) në Progres-Raportin për Shqipërinë të vitit 2013, nuk e ka përkrahur plotësisht rolin e Njësisë Qendrore të Harmonizimit të Auditimit të Brendshëm si ofrues kryesisht i trajnime teknike për audituesit e brendshëm. Progres-Raporti nënvizon faktin që puna e Njësisë Qendrore të Harmonizimit të Auditimit të Brendshëm fokusohet më shumë në çështje teknike të ofrimit të trajnimeve, sesa të vlerësimit të nevojave të audituesve të sektorit publik në Shqipëri, i cili arrihet nëpërmjet identifikimit të dobësive të profesionit dhe ndërtimit më pas të një politike dhe strategjie afatgjatë trajnimesh. SIGMA ka theksuar që “Njësia Qendrore e Harmonizimit për Auditimin e Brendshëm ka vazhduar të fokusohet në zbatimin e programit të certifikimit të auditimit të brendshëm. Në lidhje me trajnimet për Auditimin e Brendshëm, Njësia Qendrore e Harmonizimit për Auditimin e Brendshëm duhet të mbikëqyrë dhe të drejtojë politikën e trajnimeve, si edhe të garantojë sigurimin e cilësisë, në vend që të veprojë si ofruese trajnimesh”.
Për rrjedhojë, del si kërkesë e logjikshme një bashkëveprim më i gjerë dhe më koherent mes Njësisë Qendrore të Harmonizimit të Auditimit të Brendshëm me universitetet dhe qendrat e trajnimit të tilla si UET Consulting, duke zhvilluar trajnime të dedikuara të auditimit të brendshëm, studime pasuniversitare dhe postkualifikime, si një proces thelbësor në ngritjen e kapaciteteve profesionale të audituesve të brendshëm, si edhe duke pranuar njohjen dhe transferimin e krediteve. Njohja e qendrave të trajnimit (UET Consulting) nga Njësia Qendrore e Harmonizimit për Auditimin e Brendshëm si ofrues shtesë trajnimesh do të rrisë më tej numrin e të rinjve që do të ndjekin një karrierë profesionale në sektorin e Auditimit, por edhe audituesve me eksperiencë që kërkojnë të përmirësojnë njohuritë e tyre teorike dhe praktike në këtë fushë, qeverisjes së korporatave, menaxhimit të risqeve dhe kontrolleve të brendshme.
[1] Ekuivalenti i Njësisë Qendrore të Harmonizimit të Auditimit të Brendshëm në Shqipëri
















