Në një intervistë eskluzive për ABC News, zëvendëskryetari i Komisionit të Punëve të Jashtme të Parlamentit Europian, Andrej Plenkoviç, deklaron se situata e krijuar për shkak të akuzave të dala nga gjiri i mazhorancës, nuk është as e mirë për kredibilitetin e dosjes së Shqipërisë në gjirin e Bashkimit Europian. Sipas Plenkoviç, nëse hetimi ndërkombëtar është mënyra më e mirë për të siguruar paanësi, atëherë hetimi mund të garantohet nga aktorë ndërkombëtarë.
Kemi një situatë politike krejtësisht të pazakontë në Shqipëri, ku akuza të rënda janë bërë ndaj kreut të Kuvendit të Shqipërisë për planifikimin e vrasjes së dy deputetëve. Eurodeputetët kanë shprehur shqetësimin e tyre. Çfarë është më shqetësuese në këtë rast, që akuzat vijnë nga gjiri i mazhorancës, apo që kjo situatë ndodh në një vend kandidat si Shqipëria?
Së pari, si eurodeputet kroat dëshiroj që të shpreh mbështetjen për përpjekjet e Shqipërisë në përafrimin e saj me Bashkimin Europian. Ne e kemi mbështetur Shqipërinë edhe për marrëveshjen e stabilizim-asocimit, edhe për statusin e kandidatit dhe ne vazhdojmë të mbështesim Shqipërinë si një vend mik në rrugën e saj drejt Bashkimit Europian. Jam njohur me “aferën”, siç mund ta quajmë aktualisht. Mund t’ju them se një situatë e tillë nuk është as e mirë dhe as pozitive për kredibilitetin e dosjes së Shqipërisë në gjirin e Bashkimit Europian. Ne presim të zhvillohet një hetim i pavarur dhe i detajuar, në mënyrë që të shohim, nëse këto akuza janë të vërtetueshme. Përveç kësaj, ne do të duam të shohim një bashkëpunim më të madh dhe dialog midis forcave politike në Shqipëri për të mundësuar progresin në integrimin europian të vendit. Ky është objektivi ynë.
Ju me disa eurodeputetë të tjerë jeni takuar në Strasburg me liderin e opozitës së Shqipërisë, Basha. A mendoni se është i nevojshëm një hetim ndërkombëtar, siç është artikuluar nga disa deputetë gjatë takimeve?
Ishte kënaqësi që të takohesha me zotin Lulzim Basha, që e njoh si kryebashkiak të Tiranës dhe më parë në postin e ministrit të Jashtëm. Ne kemi patur kontakte të vazhdueshme edhe më parë. Ne e vlerësuam fjalimin e Bashës në grupin e punës paneuropian të Parlamentit Europian, ku diskutuam për situatën poliitke. Ne kuptojmë që ka një shqetësim për paanësinë e hetimit. Nëse hetimi ndërkombëtar do të ishte mënyra më e mirë për ta trajtuar çështjen, atëherë ndoshta hetimi mund të garantohet edhe nga aktorë ndërkombëtarë.
















