Një dokumentar TV flet për momentet që shënuan edhe shkeljen e parë të sovranitetit të Ukrainës
Ndërsa tashmë ka kaluar një vit qëkurse Moskës iu desh të vinte në zbatim një plan për të cilin është folur shumë, duket se ka ardhur edhe koha që gjërat të bëhen publike prej vetë autorëve të asaj që në botën demokratike perëndimore njihet si “ndërhyrja e paligjshme ruse në Krime”. Ka qenë vetë Presidenti i Federatës Ruse, Vladimir Putin, i cili thotë se u kishte treguar zyrtarëve të lartë të sigurisë për vendimin e tij për ta pushtuar Krimenë, vetëm disa orë pasi presidenti, Viktor Janukoviç, ishte larguar nga posti që mbante. Në spotin që paralajmëronte shfaqjen së shpejti të një dokumentari në televizionin shtetëror të Rusisë, Putin shihet ndërsa organizon një mbledhje urgjente në Kremlin, për të cilën ai tha se kishte përfunduar në orën 7:00 të mëngjesit, e që kishte ndodhur më 23 shkurt të vitit të kaluar. Lideri suprem rus tha se i kishte urdhëruar agjencitë ushtarake dhe ato të sigurisë në mbarë federatën për “ta shpëtuar jetën e presidentit të Ukrainës”. “Kur po ndaheshim, u thashë kolegëve të mi: ‘Ne duhet të fillojmë të punojmë për kthimin e Krimesë në Rusi’”, tha Putin, në spotin e transmetuar dy net më parë në TV shtetëror rus. Aneksimi i rajonit të Krimesë, ndodhi në muajin mars të vitit të kaluar, pas vendosjes së trupave ushtarake ruse atje, duke organizuar edhe institucionet lokale atje dhe duke mbajtur një referendum, i cili u dënua nga Kievi dhe Perëndimi, të cilët e quajtën e vijojnë ta quajnë aneksimin e rajonit të famshëm historik në juglindje të Ukrainës, me një shumicë rusishtfolëse, si jolegjitim. Fillimisht, Kremlini i kishte hedhur poshtë pohimet se i kishte dërguar ushtarët në Krime, por Putini më vonë në televizion tha se trupat ruse ishin dërguar atje.
Krimeja, pika e kthesës
Më pas, Kremlini nisi një fushatë për të justifikuar aneksimin si një hap legjitim i Moskës, duke sjellë argumente historike e politike, e aksioni i Moskës u krahasua edhe me ndërhyrjen e NATO-s në Kosovë në vitin 1999, e u ndërthur me të drejtën për vetëvendosje të popujve e popullsive, pavarësisht se Moska vetë nuk e ka njohur asnjëherë Kosovën e pavarur. Perëndimi, sipas analistëve të ndryshëm, pati rast të shohë ndryshimin e fytyrës e performancës jo vetëm politike, por edhe ushtarake ruse, ndërsa vëzhgonte ushtarët e mjetet supermoderne ushtarake të Kremlinit të zbarkonin në Krime. Por Krimeja nuk do të ishte hapi i vetëm, pasi ajo çka erdhi më pas, do t’i merrte jetën më shumë se 6000 personave, përfshirë shumë civilë, pas një konflikti që shpërtheu në muajin prill në rajonet rusishtfolëse të Donjeckut dhe Luhanskut në lindje të Ukrainës. Megjithëse u nënshkruan dy marrëveshje në Minsk të Bjellorusisë, në shtator 2014 e shkurt 2015, sërish zbatimi i saj në terren, mbetet një sfidë më e vështirë. Mosbesimi dhe paranoja tashmë i përshkon të gjithë fqinjët e Rusisë e sidomos ish-republikat baltike, Gjeorgjinë dhe Moldavinë, por edhe Poloninë etj., të cilët shohin tashmë tek aneksimi i Krimesë, pikën e kthesës së historisë, duke iu frikësuar hapave të mëtejshëm të Rusisë.















