Janë 135 persona ndaj të cilëve organet e ndjekjes penale në Kosovë, po zhvillojnë hetime nën dyshime për përfshirje në rastet që ndërlidhen me terrorizmin.
Pjesëmarrja, nxitja apo inkurajimi i njerëzve për pjesëmarrje në luftërat jashtë Kosovës, sidomos në Siri, në krah të organizatave të shpallura terroriste, janë vepra të cilat rëndojnë mbi këta persona të dyshuar.
“Në Prokurorinë Speciale të Kosovës, nga periudha paraprake, në vitin 2014, janë bartur 8 raste. Prej tyre 4 raste me 19 persona janë nën hetime, kurse 2 raste me 2 persona dhe një rast me persona të panjohur janë në fazën preliminare të hetimeve”, ka thënë zëdhënësja e Prokurorisë Speciale të Kosovës, Liridonë Kozmaqi Hajdaraj.
Nga janari i vitit 2014 deri më tani, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, ka thënë zëdhënësja Liridonë Kozmaqi Hajdaraj, ka pranuar gjithsej 23 raste, prej të cilave, 3 raste të pranuara në vitin 2015 me 117 persona, të dyshuar për vepra penale që ndërlidhen me terrorizmin.
Në përgjithësi, prokurorët e kësaj prokurorie kanë filluar hetimet ndaj 135 personave.
Vetëm gjatë vitit 2015, janë ngritur 4 aktakuza kundër 14 personave. Të pandehurit, dyshohen se u kanë bërë thirrje personave të tjerë për të kryer ose për të marrë pjesë në kryerjen e veprave terroriste, të marrin pjesë në aktivitetet e grupit terrorist dhe të sigurojnë fonde dhe burime materiale.
Të gjitha këto vepra, janë të dënueshme me Kodin Penal të Republikës së Kosovës.
Persona tjerë, akuzohen se kanë marrë pjesë në veprimtarinë e grupit terrorist në atë mënyrë që paraprakisht janë dakorduar që të shkojnë në luftë në Siri dhe t’i bashkohen grupit të shqiptarëve që kanë luftuar në anën e organizatës terroriste “ISIS”.
Andaj, edhe këto vepra që kanë të bëjnë me organizimin dhe pjesëmarrjen në grupin terrorist, janë të dënueshme me Kodin Penal.
Ministri i Punëve të Brendshme, Skënder Hyseni, ka konfirmuar se ka rreth 300 persona nga Kosova që janë përfshirë deri më tani në luftë në Siri apo edhe në Irak.















