Në lidhje me akuzat e bëra rishtazi dje nga deputeti Tom Doshi, ku ai hedh dyshime të forta se prapa atentatit të tij qëndron kreu i Kuvendit, Ilir Meta, ka reaguar edhe kryetari i grupit parlamentar të Lëvizjes Socialiste për Integrim, Petrit Vasili, i cili ka theksuar se akuzat e Doshit janë të fabrikuara nga deputeti Tom Doshi dhe ish-ministri i LSI-së, Dritan Prifti. Ndaj duke e quajtur këtë marrëveshje të pretenduar si “komploti i pularisë”, për shkak të një biznesi vezësh që ka deputeti Doshi dhe Prifti, Vasili i bën thirrje prokurorisë që të hetojë të gjitha pretendimet e ngritura nga deputeti ish-socialist. “Kërkoj që komploti i pularisë së Koplikut të hetohet nga të gjitha organet e drejtësisë”, – u shpreh Vasili në fjalën e tij. Deklarata e LSI-së vjen si aludim për shkak se Dritan Prifti për regjistrimin e videos të Metës në vitin 2011, është bashkëpronar me deputetin Tom Doshi në një pulari në zonën e Koplikut në Malësinë e Madhe.
Një faksimile e ekstraktit në QKR konfirmon regjistrimin e këtij biznesi në emër të 4 bashkëpronarëve, mes të cilëve Doshi dhe Prifti. Vasili i ka kërkuar edhe ish-kryeministrit Sali Berisha që të mos bjerë pre e këtyre inskenimeve.
“I bëj gjithashtu thirrje z. Sali Berisha që të mos nxitohet me deklaratat e tij dhe i them që të mos ngrohë vezët e krimit”, deklaroi kryetari i grupit parlamentar të LSI-së, Petrit Vasili.
















