Tashmë nuk është më sekret. Për të flitet hapur dhe ndoshta është personi që po i dridhet toka nën këmbë sepse është mes dy zjarreve. Bëhet fjalë për Durim Banin, 36-vjeçari nga Fushë Kruja që Tom Doshi pretendon se kishte marrë porosi dhe një shumë parash për ta ekzekutuar atë dhe kolegun demokrat, Mëhill Fufi.
Po kush është Durim Bani, i arrestuari i sotëm i policisë dhe personi që u tentua të eleminohej në datën 22 shkurt përmes një atentati me tritol në qytetin e tij. Durim Bani ka një të kaluar të errët dhe është një personazh i njohur i botës së krimit. Në dosjet e drejtësisë shqiptare, ai figuron i dënuar me 4 vjet burg për pengmarrje. 11 vjet më parë, Bani tentoi të ekzekutonte dy persona në Fushë Krujë, Erzen Haka dhe Hasan Karaj.
Si ndoshta shumë moshatarë në qytetin e tij, ai është një i papunë dhe pa një profesion. Por kjo s’e ka penguar që të bënte një jetë luksoze dhe të shëtiste me makina të shtrenjta. Makina më e fundit me të cilën lëvizte Bani ishte një BMW seria X5. Pikërisht në këtë makinë i ishte vendosur rreth 800 gr tritol para 10 ditësh, me qëllim eleminimin e tij. Por Bani e diktoi lëndën eksplozive përpara se të hipte në makinë. Më pas policia ka bërë çaktivizimin e saj. Duke qenë një prej “të fortëve” të Fushë Krujës, ai shërbente shpesh herë edhe si mbrojtës i disa kazinove të qytetit.
Ndërkohë që një natë më parë në Fushë Krujë iu vendos eksploziv biznesmenit Edmon Kadiu. Policia dyshon se pas kësaj ngjarje qëndron pikërisht Durim Bani. Për këtë, por edhe për akuzat e Tom Doshit, Bani është arrestuar dhe pritet të merret në pyetje nga policia. Në reagimin e sotëm deputeti Tom Doshi falenderoi Durim Banin që nuk e shtypi telekomandën për aktivizimin e shpërthimit, i cili do t’i merrte atij jetën. Nga ana tjetër, Doshi kërkoi marrjen në mbrojtje të këtij personi dhe familjes së tij.
Nuk ka ende të dhëna për atë se cfarë mund të deponojë sërish Durim Bani në polici, por deputeti Tom Doshi pretendon që deponimin e tij të parë e ka mbajtur shënim me dorë vetë Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Artan Didi, në prani edhe të ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri. Doshi thotë se Durim Bani ka marrë porosi nga Ilir Meta për vrasjen e tij dhe deputetit të PD-së, Mëhill Fufi. Për këto atentate, Banit do i jepeshin 600 mijë euro. 36-vjecari nga Fushë Kruja tentoi sot të kalonte kufirin për në Malin e Zi, por është ndalur nga policia. Ai është personi kyç në këtë histori politiko-kriminale, që po përvijohet dita ditës në sytë e gjithë shqiptarëve
















