Heqja e pikëve në patentë do të bëhet vetëm për ato lloj shkeljesh kur është parashikuar pezullimi i lejes së drejtimit. Sqarimet shtesë në lidhje me sistemin e ri të pikëve në patentë janë parashtruar dje nga ekspertët e Ministrisë së Transporteve dhe Ministrisë së Brendshme, gjatë diskutimeve në Komisionin e Veprimtarisë Prodhuese. Çdo shofer do të njihet në çast me masën që do të marrë, më pas mund të ankimojë atë ose jo në Komisionin e Apelimit në Policinë Rrugore.
Ekspertët sqaruan se ulja e pikëve do të bëhet online, pra nuk do të ketë ndryshim të kartonit të patentës për rreth 600 mijë posedues të lejes së drejtimit. Ndërkohë në rast se sanksionet e vëna bëjnë që personi i pajisur me leje drejtimi i humbet të 20 pikët, atëherë ai duhet t’i nënshtrohet një testimi teorik, por pa shpenzime shtesë për sa kohë që testi do të kryhet nga Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve të Transportit Rrugor. Ministria e Transporteve thotë se mënyra e re e vlerësimit të shkeljeve të kryera nga drejtuesit e automjeteve përmes sistemit të pikëzimit do të hyjë në fuqi përfundimisht në muajin mars.
Patentat me pikë
“Pikët hiqen për ato masa që parashikohet pezullimi i lejes së drejtimit dhe pezullimi është në disa nene”, sqaroi eksperti i Ministrisë së Transporteve, Nikolin Bërxhiku. Ekspertët sqarojnë gjithashtu se qytetarët nuk do të duhet të pajisen me një format të ri të lejes së drejtimit. “Kartoni nuk do të ndryshojë asgjë, pra si format, patenta do të mbetet ajo që është. Pikët janë virtuale. Njoftohen rasti pas rasti, sipas shkeljeve, por kundrejt individit nuk do të ndryshojë asgjë, nuk ka asnjë detyrim shtesë”, – thotë Bërxhiku. Ai shtoi se sistemi parashikon bonuse dhe për ata që nuk kanë bërë shkelje për një periudhë 2-vjeçare, të cilëve u shtohen deri në 10 pikë maksimumi. Ndërsa përfaqësuesi tjetër i Ministrisë Transporteve, Maksim Dashi shtoi se heqja e pikëve do të bëhet në regjistrin online.
“Regjistri do të publikohet në internet, do të shtohet në një kolonë që do të ketë fillimisht 20 pikë për të gjithë drejtuesit që kanë lejen e drejtimit dhe në funksion të shkeljeve do të bëhet edhe zbritja e pikëve, ndërsa rimarrja e lejes së drejtimit nuk do të jenë nëpër autoshkolla, sepse rëndohet qytetari. Kurse nuk do të ketë, secili do të shkojë të japë provimin vetëm për normat e sjelljes sepse për ato është penalizuar”, – sqaroi Dashi. Sa i përket shqetësimit të ligjvënësve për subjektivizmin e policëve rrugorë në momentin që konstatojnë një shkelje, Sadikaj tha se ky subjektivizëm hiqet me Vendimin e Këshillit të Ministrave ku përcaktohet qartë heqja e numrit të pikëve për çdo lloj shkelje.
Shkelje të tjera janë rastet e tejkalimit të shpejtësisë me më shumë se 20 km/orë kur drejtuesi i mjetit ndëshkohet me heqjen e 8 pikëve nga patenta. Nëse është përsëritës i kësaj shkeljeje, ndëshkimi i parashikuar është minus 10 pikë. Kurse në rastet kur nuk respektohet sinjalizimi i semaforit tre herë brenda dy vitesh, drejtuesi ndëshkohet gjithashtu me 10 pikë dhe po me 10 pikë edhe në rastet kur drejton makinën në gjendje të dehur.
Pikët që hiqen për shpejtësinë dhe semaforin
Drejtuesi i mjetit që tejkalon kufijtë e shpejtësisë me më shumë se 20 km/orë 8 pikë
Drejtuesi i mjetit rrugor që zotëron lejedrejtimin prej më shumë se 3 vjetësh që tejkalon kufijtë e shpejtësisë me më shumë se 20 km/orë 10 pikë
Drejtuesi i mjetit që tejkalon kufijtë e shpejtësisë me më shumë se 20 km/ orë dhe është përsëritës i së njëjtës shkelje brenda një viti 10 pikë
Drejtuesi i mjetit rrugor që qarkullon kundërvajtje në kthesa 6 pikë
Drejtuesi i mjetit rrugor që qarkullon kundërvajtje në rakordimet konvekse 5 pikë
Drejtuesi i mjetit rrugor që qarkullon kundërvajtje me fushëpamje të kufizuar 10 pikë
Drejtuesi i mjetit rrugor që përshkon karrexhatën kundërvajtje kur rruga është ndarë në disa karrexhata të veçanta 10 pikë
Drejtuesi i mjetit rrugor është përsëritës i shkeljes së dispozitave të nenit 140, pika 10 e Kodit Rrugor të ndryshuar, brenda vitit 10 pikë
Drejtuesi i mjetit rrugor duke u futur në kryqëzim nuk i jep përparësi mjetit tjetër që vjen nga e djathta dhe është përsëritës i së njëjtës shkelje brenda periudhës kohore 12 muaj 5 pikë
Drejtuesi i mjetit rrugor në kapërcimin e linjave hekurudhore a të tramvajit nuk i jep përparësi mjetit që lëviz mbi shina dhe është përsëritës i së njëjtës shkelje brenda periudhës kohore 12 muaj 5 pikë
Drejtuesi i mjetit rrugor nuk respekton sinjalet e vendosura të detyrimit të ndalimit para vijës së ndalimit përpara se të futet në kryqëzim dhe është përsëritës i së njëjtës shkelje brenda periudhës kohore 12 muaj 5 pikë
Drejtuesi i mjetit rrugor nuk i jep përparësi atij që qarkullon në rrugë kur hyhet në rrugë nga zona që nuk janë për kalim publik dhe është përsëritës i së njëjtës shkelje brenda periudhës kohore 12 muaj 8 pikë
Drejtuesi i mjetit rrugor zë kryqëzimin apo dhe kapërcimin e linjave hekurudhore a tramvajit duke mos pasur mundësi të lirojë zonën e manovrimit, pa penguar kalimin e mjeteve që vijnë nga drejtime të tjera dhe është përsëritës i së njëjtës shkelje brenda periudhës kohore 12 muaj 8 pikë
Drejtuesi i mjetit ose i kafshës nuk i jep përparësi atij që qarkullon në rrugë kur hyhet në rrugë nga shtigje të udhëve për kafshë dhe pista biçikletash dhe është përsëritës i së njëjtës shkelje brenda periudhës kohore 12 muaj 8 pikë
Drejtuesi i mjetit rrugor vazhdon lëvizjen, ndonëse sinjalizimi i semaforit ose policit e ndalojnë këtë lëvizje 10 pikë
Drejtuesi i mjetit rrugor që i afrohet një kalimi në nivel, nuk tregon kujdesin maksimal me qëllim mënjanimin e aksidentit 6 pikë
Drejtuesi i mjetit rrugor, përpara zënies së një kalimi në nivel pa barriera ose gjysmëbarriera, kalon kur barrierat ose gjysmëbarrierat janë duke u mbyllur ose janë mbyllur 6 pikë
Drejtuesi i mjetit rrugor përpara një kalimi në nivel kalon kur barrierat janë duke u hapur 6 pikë
Drejtuesi i mjetit rrugor para përpara një kalimi në nivel kalon kur nuk janë duke funksionuar sinjalizimet ndriçuese 6 pikë
Drejtuesi i mjetit rrugor para përpara një kalimi në nivel kalon kur nuk janë duke funksionuar objektet zëvendësuese të barrierave ose gjysmëbarrierave 6 pikë
Drejtuesi i mjetit rrugor përpara një kalimi në nivel, në rast të detyrimit të ndalimit të mjetit, nuk bën përpjekje për ta zhvendosur mjetin ose nuk shmang çdo rrezik për njerëzit 6 pikë
Drejtuesi i mjetit rrugor nuk zbaton ndalimet e parakalimit sipas pikave 9, 10, 11,12, 13 të nenit 146 të Kodit Rrugor të ndryshuar dhe është përsëritës i së njëjtës shkelje brenda periudhës kohore prej 24 muajsh 8 pikë
Drejtuesi i mjetit rrugor nuk zbaton ndalimet e parakalimit sipas pikës 14 të nenit 146 të Kodit Rrugor të ndryshuar dhe është përsëritës i së njëjtës shkelje brenda periudhës kohore 24 muaj 8 pikë
Drejtuesi i mjetit rrugor si pasojë e mosrespektimit të largësisë së sigurisë ndërmjet mjeteve shkakton përplasje me dëmtime të rënda për mjetin dhe është përsëritës i së njëjtës shkelje brenda periudhës kohore 12 muaj 10 pikë.
Pirja e alkoolit nga drejtuesit e mjeteve
Gentian Bejko: Sa është sasia e alkoolit që cakton kufirin?
Qamil Sadikaj: Në Kodin Rrugor janë dy nivele të përdorimit të pijeve, ka përdorues alkooli dhe të dehur. Deri në 5 mg/ml është përdorues alkooli , nuk ka pikë, ka vetëm sanksion me gjobë. Pastaj mbi 0.5 mg/ml quhet i dehur. Në këto raste kemi të bëjmë me kundërvajtje penale, nuk bëhet procesverbal, shoqërohet.
Gentian Bejko: Deri tek 0.5 mg/ml, sa konvertohet?
Qamil Sadikaj: Varet se çfarë pi.
Deputetët batuta për masën e pijes
Eduart Shalsi: Zoti Bejko mund të bësh një tabelë përmbyllëse, sa është një teke raki, sa është një birrë.
Gentian Bejko: Mund ta marrësh me të qeshur, por është shumë e rëndësishme kjo që them unë.
Eduart Shalsi: Nuk e vë njeri në dyshim.















