Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha u takua sot në mbrëmje me strukturat e Partisë Demokratike të Lushnjes, nga ku u shpreh se PD po ringrihet duke kërkuar vlerat dhe njerëzit e vlerave.
“Ky është një sistem i cili mund dhe duhet të funksionojë vetëm në bazë të vlerave më të mira të qytetarisë dhe është në antagonizëm të plotë, deri në armiqësi, me sistemin e antivlerave që ka ngritur kundërshtari”, tha Basha.
Sipas tij, në një vit e gjysmë pas ardhjes në pushtet të dyshes Rama-Meta, vendi është katandisur me rend të shthurur, me kriminalitet që hedh valle dhe godet ditë për ditë shtëpitë, pronat dhe jetën e qytetarëve.
“Kemi një polici e cila në rastin më të mirë është e paaftë të luftojë krimin, apo me një polici e cila barbarisht keqtrajton qytetarët se i grricën makinën bashibozukut, sigurimit të shtetit.
Kjo nuk është lajthitje. Kjo nuk është politikë e gabuar. Kjo është bashkëjetesë me krimin”,- deklaroi krei i PD-së.
Sipas tij, kjo ndodh se ka ortakëri me krimin.
“Siç është ajo shprehja jonë shqiptare jep 5 lekë të futesh në valle dhe jep 50 dhe nuk del dot, as me 500 dhe as me 5 mijë. Nuk del dot nga vallja Edi Rama, nuk del dot nga vallja Saimir Tahiri, nuk del dot nga vallja Ilir Meta. Valle e vështirë kjo. E hedhin mjeshtrat këtë valle. E hedh Hakmarrja, e hedh Aldo Bare nga qelitë. Këta janë ortakët e tyre”,- deklaroi Lulzim Basha.
Ai shtoi se detyra e demokratëve është të qëndrojnë pranë qytetarëve dhe shqetësimeve të tyre në kushtet kur ata janë braktisur në çdo drejtim nga qeveria.
“Ne nuk i braktisim njerëzit, dhe nuk mund ti braktisim njerëzit. Kemi detyrën dhe detyrimin të jemi shpresa e tyre. Tu japim shpresë dhe tu japim forcë. E keqja nuk mund të mbijetojë. Ne do të përballemi me të keqen siç jemi përballur gjithmonë”, u shpreh Basha.
Kreu i opozitës tha gjithashtu se Partia Demokratike do të kompensojë qytetarët për çdo ndërtim të prishur në kundërshtim me ligjin, si dhe do të sekuestrojë pasuritë e paligjshme të qeveritarëve.
















