Nga Mateo Spaho
Sipas INSTAT, popullsia e Shqipërisë në 1 janar 2015 ka qenë 2 893 000 banorë, duke pësuar një rënie me 3000 persona, në krahasim me vitin paraardhës. Elementi i parë që bie në sy është se vetëm gjatë vitit 2014, më shumë se 46 000 shqiptarë kanë zgjedhur ta lënë vendin ku kanë lindur, për të kërkuar një jetë më të mirë jashtë shtetit. Elementi i dytë, por jo për nga rëndësia, është se numri i lindjeve në Shqipëri po pëson një rënie të vazhdueshme. Numri i shqiptarëve rritej me 2% në vit në fillimin e viteve ’90, ndërsa tani rritja është 0,5%. Përse ka ndodhur ky fenomen?
Sot mosha e martesës për meshkujt dhe femrat është rritur dhe prindërit e rinj kërkojnë që fëmijët e tyre të ushqehen më së miri, të kenë përkujdesje, veshje cilësore, arsim të lartë etj…por nga krahu tjetër mjedisi shqiptar po bëhet gjithnjë e më i papërshtatshëm për të rritur fëmijët. Hapësirat publike zvogëlohen në mënyrë të pandalshme, kostot e kopshteve janë të larta dhe vendet e lira në kopshtet publike duken si një mirazh, prindërit duhet të punojnë shumë dhe të kenë të ardhura të larta për të menduar për një fëmijë.
Vitet e fundit edhe sistemi tatimor i qeverisë shqiptare ka harruar familjet shqiptare. Kjo deklaratë ka bazë në vendosjen dhe zbatimin e taksës progresive që qeveria ‘Rama’ ka aplikuar në 1 janar të vitit 2014.
Le të marrim si shembull një familje, ku dy bashkëshortët punojnë duke marrë secili rreth 50 000 lekë të reja. Të ardhurat e familjes janë 1 000 000 lekë. Sipas takës progresive, si burri dhe gruaja do të paguanin 2600 lekë në muaj secili ose 5200 lekë të dy.
Le të supozojmë tani, siç është e natyrshme, se çifti i ri vendos të bëjë një fëmijë dhe për t’u përkujdesur sa më mirë për fëmijën si dhe për t’i dhënë elementet fillestare të edukatës, gruaja vendos për 4 ose 5 vite të mos punojë, deri sa fëmija të jetë gati për klasën e parë. Për mos të ulur të ardhurat, burri ka mundësinë dhe vendos të punojë më shumë për të mbajtur familjen dhe arrin të marrë 1 000 000 lekë, aq sa merrnin më parë të dy bashkë dhe në këtë mënyrë të ardhurat e familjes nuk ndryshojnë. Në këtë rast taksa progresive mbi të ardhurat e babait do të ishte 9100 lekë në muaj ose 3900 lekë më shumë në krahasim me tatimin ndaj dy rrogave të marra më parë. Duket qartë se kjo lloj takse vështirëson ekonomikisht përkujdesjen e njërit prej prindërve për fëmijët dhe në çdo epitet mund të quhet, por asnjëherë nuk mundet të cilësohet si e ndershme. Pikërisht për këtë arsye, në vende si Gjermania, Franca dhe Italia, tatimi mbi të ardhurat personale edhe kur është progresiv nuk paguhet në rang individi, por në rang familjar. Nëse do të aplikohej kjo procedurë, edhe në Shqipëri familja e mësipërme do të përfitonte 46 800 lekë të reja në vit, gati sa një rrogë mujore shtesë.
Qeveria ka kosto të ndryshme që lidhen me luftën ndaj kriminalitetit të rrugës, aksidenteve rrugore, problematikave që lindin për shkaqe banale, alkoolizmit dhe përdorimit të substancave narkotike etj…të cilat shpeshherë shkaktohen nga adoleshentë dhe të rinj, që nga pikëpamja e kohës nuk kanë patur përkujdesjen e duhur prindërore. Të ardhura më të pakta nga kjo taksë sot do të nënkuptonin shpenzime më të pakta nesër për përballimin me fenomenet negative të mësipërme.
Në rast se qeveria do të zbatonte taksimin mbi baza familjare dhe jo individuale, do të hiqte një pengesë jo të vogël që çiftet e reja t’i jepnin jetë të ardhmes së tyre, fëmijëve. Natyrisht, me këtë gjest nuk do të zgjidheshin të gjitha problematikat që të rinjtë kanë drejt krijimit të një familjeje, si vështirësia për të gjetur një vend pune, strehimi, kredidhënia etj. Por ndryshimi i kësaj takse padyshim do të ishte një fillim i mbarë.
















